ANTON HARAPI (1888-1946)

At Anton Harapi lindi në 5 janar 1881 në Shirokë.
Shkollën e mesme e kreu në Kolegjin Saverian (Shkodër).
Teologjinë dhe filozofinë i studioi në disa universitete të Austrisë.
Shumë vite dha leksione në liceun “Illyricum” në Shkodër.
Shërbeu në Famullinë e Malësisë së Madhe, ku njohu shpirtin e malësorëve dhe mendësinë e tyre.
Është quajtur mendje analitike dhe inteligjente.
Bashkëpunoi me revistat e kohës: Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout etj.
Botoi disa vepra: Urti e burrni ndër banorë të Cemit, Andrra e Pretashit (roman), Valë mbi valë (roman), Vlerë shpirtnore (seri konferencash eseistike), Kontribut për trajtimin shpirtnor të shqiptarit (ese) etj.
U ekzekutua në muajin shkurt të vitit 1946 nga regjimi komunist, nën akuzën se kishte bashkëpunuar me fashistët.
Ishte i ndikuar nga mendimtari kristian Shën Agostini.
Konsideronte se shoqëria shqiptare duhej të synonte vetëm të vërtetën.
Një studiues thotë se ashtu sikurse Hamleti i vë përpara pasqyrën mbretëreshës, poashtu edhe ai e vë para vetes bashkëbiseduesin:
“Mos luej vendit/... s’të lë pa vënë një pasqyrë syve/
Ku të shikosh të zit e zemrës sate”. (Shekspiri)
Motoja e tij jetësore ishte: Zot, Komb, Atdhe, Familje.
Ai konsideronte se asnjë shoqëri nuk mund që të zhvillohej pa faktorin shpirtëror, kurse idetë e reja ishin forcë.
“Ashtu sikurse ideja është forcë në jetën ideare, po ashtu mungesa e idesë është ligështi dhe vdekje, prandaj po deshëm të ripërtërijmë popullin tonë duhet t’ia shëndoshim shpirtin me ide të pëlleshme, me të cilat do t’i japim energji të reja”.
Angazhohej që te shqiptari të ngjallej ndjenja për një jetë të përbashkët dhe krijimi i ndërgjegjes shoqërore.
Si njohës i etnopsikologjisë shqiptare, Harapi e ka tipizuar shqiptarin si një “Ego Concentricum”, “që nuk është gjë tjetër përveç se egoizmi në kulmin e vet”. Edhe Konica e kishte vërejtur këtë individualitet të theksuar të shqiptarëve, që ishte një ndër shkaqet kryesore që nuk e krijuan me kohë shtetin e tyre.
“Shqiptari në atë masë që të dalë prej individualitetit ka t’i afrohet kulturës e qytetërimit…jo ta shuajmë personalitetin e shqiptarit, por ta vëmë në binarë të duhur egoizmin e natyrshëm e mos ta lëmë të kapërcejë caqet e arsyes”, thoshte Harapi.
Si një “ego concentricum” shqiptari është mangut për sa i përket edukatës së përbashkët. Ai ka rënë në një pesimizëm dhe çdo iniciativë a vepër të përbashkët e konsideron qesharake e të pa rezultat. Harapi konsideron se shqiptari ik nga detyrat kolektive, i ik “bashkëpunimit për të mirën e përgjithshme”. Ka mungesë ideali. “Përtej derës së oborrit nuk e sheh rrezikun, as armikun”.
Përveç kësaj ai e shihte si rrezik për kombin edhe përçarjen ndërmjet shqiptarëve. Një popull i përçarë, sipas tij, ishte një popull i humbur.
Në vend të një besimi pasionant ai kërkonte një besim të arsyeshëm. “Të rrojmë shoqnisht e vllaznisht... kurrgjë nuk na bashkon ma fort se Zoti”.
Për Anton Harapin problemet e jetës njerëzore nuk zhvillohen dhe zgjidhen vetëm me formula e teori, por edhe me mirësi dhe drejtësi – me vlera të njëmendta shpirtërore.
Në vitin e largët 1932, Anton Harapi e botoi një shkrim të gjatë me titullin “Rrymët e jetës shqyptare” ku jepte formulën monumentale në mbrojtjen dhe përmirësimin e të mirave ideale dhe materiale të shqiptarëve.

Për sa i përket sferës ideale Anton Harapi kërkonte:
- edukim të ndjesive të shqiptarit ndaj Zotit dhe Atdheut;
- rruajtjen e besës e burrnisë, që janë ndera shqiptare;
- ngjalljen në shpirt të idealit dhe nevojës për një jetë të përbashkët shtetërore;
- zhvillimin e mendjes, duke i dhënë shqiptarit kuptim të qartë për jetë e gjallërim;
- lartësim në konceptin e punës, të grues dhe të familjes;
- luftë ndaj çdo demoralizimi dhe korrupsioni;
- njohjen e thellë (“deri në palcë”) të shpirtit dhe karakteristikave të shqiptarit.
Ndërkaq, për sa i përket sferës materiale, si më të domosdoshme, ai i veçonte:
- përmirësimin ekonomik dhe financiar;
- përmirësimin e shëndetit të banorëve;
- përmirësimin e kushteve të banimit, të veshjes, kujdesin për ta mbajtur larg sëmundjes, sidomos sëmundjeve gjinore dhe lehtësi e shkase të reja pune.

Anton Harapi është themeluesi i Ideologjisë Shqiptare që parasheh:
- krijimin e zotësisë mendore dhe fuqisë morale te shqiptarët, të cilët nuk duhej të merreshin me fitimet e ulëta të kulturës materiale;
- të çmoheshin parimet e kulturës botërore, si të vetmet vlera njerëzore, mbi të cilat do të ngrihej kultura shqiptare (antiksenofobizmi);
- të çmoheshin faktorët e vlerës shqiptare dhe të ngjallej ndjenja e sakrificës për të;
- të çmoheshin besa, burrnia, urtia, fisnikëria, dashuria, mirësia, e vërteta, e drejta;
- të respektoheshin të gjithë vlerat njerëzore, jeta kulturore, Shqipëria shpirtërore, të cilat do të ishin gjëra të kota pa lirinë e mendimit dhe fjalës, ndërgjegjes civile, fetare dhe shoqërore;
- Shqipëria shpirtërore të bëhej me punë dhe jo me fjalë;

Anton Harapi është një nga ideatorët e Institutit shqyptar për studimet dhe artet (paraprijëses së Akademisë së Arteve dhe Shkencave).
Ky institucion, sipas tij, do të bënte:
- lëvrimin e mendjes, vullnetit dhe ndjesive në lëminë e të vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës;
- do të ishte jo institut nderi as oportuniteti;
- aty do të peshoheshin dhe vlerësoheshin fuqitë dhe veprat e dijes dhe artit shqiptar;
- të gjithë të zotët do të inkuadroheshin në punë dhe do të shfrytëzoheshin maksimalisht me qëllim që vepra të dilte sa më e plotë dhe të arrihej qëllimi sa më mirë.

Për sa i takon misionit të shkollave shqipe, Anton Harapi konsideronte se:
- duhej të nxisnin në shpirtin e nxënësve drojën ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj atdheut;
- të krijonin njerëz me karakter që jo vetëm do të ishin zot të punës, por punën ta kishin për zemër,
- të krijonin shqiptarë të virtytshëm;
- të krijonin të ditur me qartësi mendjeje dhe të matur (“Burri kurrë nuk ngutet/ prej urtisë dhe jo prej tutës)
Sipas tij shkollat duhej që të kishin shkallë të lartë disipline e përgjegjësie dhe të kishin program veprimi.
“Për të bërë punë të mëdha duhet bërë program veprimi dhe t’i përkushtohet atij” .
Ai i konsideronte studentët si forca që do ta shpëtonte atdheun nga kriza mendore, si e ardhmja që do të modernizonte dhe do të qytetëronte atdheun. Jo vetëm diploma, por specialistë me famë botërore. Studentët të kishin jo dije vetëm për vete, por për atdheun dhe kombin.
Mbi të gjitha ai thoshte: “Shkollat tona do të jenë shkolla shqiptare”.
Një rol vendimtar në jetën e një kombi, sipas Harapit, kishte gruaja. Trajtimi i mirë i gruas ishte rimëkëmbje e familjes shqiptare. Gruaja ishte shëruesja e shpirtit të familjes. Gruaja e shkolluar ishte e ardhmja e siguruar.
“Familja është themeli e arma e popullit, e kombit e shtetit”, por njëkohësisht ai e vëren se “familjes shqiptare i mungon trajta e pikëpamja poetike”. Edhe sot e kësaj dite familja shqiptare ka mjaft hendikepe, që pamundëson riparimin e defekteve që shfaqen në një familje më të madhe siç është populli a kombi. E shtyllë e familjes është gruaja, e cila sot e kësaj dite konsiderohet “vetëm për punë shtëpie”.
Harapi e vlerësonte shpirtin e sakrificës. Nuk pranoi që të ikte nga Shqipëria. E priti dënimin me shumë gjakftohtësi. Ishte martiri (fatosi) i radhës për të vërtetën, të mirën, të drejtën, të bukurën... Sepse ai besonte se martirët bëjnë vdekje të trishtuar për të mirën, të drejtën dhe të vërtetën.
“Nuk mjafton zotësia, as dituria, duhet edhe vuajtja”.
Para se ta vrisnin At Anton Harapin, ai kishte ngritur duart nga qielli, ishte drejtuar Zoti dhe zemërvrarë kishte thënë: “O Zot, edhe çfarë duhet të bëj që të jem shqiptar”.
E vranë ata që vrisnin në emër të Atdheut dhe Shqiptarisë! Ata që mendonin se e kishin vrarë edhe Zotin… E vranë njeriun që armë të vetme kishte lutjet...

1 comment:

Unknown said...

Trashegimia qe na ka lene At Anton Harapi eshte nje thesar i madh. Eshte detyre e shqiptareve te kuptojne vlerat e saj te padiskutueshme. Dr. Hysni GUDA