BRANKO MERXHANI nga Mark Marku

Branko Merxhani iu shfaq shoqërisë shqiptare vetëm një fragment të shkurtër kohor aty nga fundi i viteve 20 për t’u zhdukur 10 vjet më vonë. Ishte vërtet një shfaqje e shkurtër, por marramendëse e nga ato që lënë gjurmë në kulturën e një vendi. Kur ai u shfaq pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase shfaqja e tij është pritur me shpërfillje në mos në mënyrë armiqësore. Tek e fundit kush ishte ky Merxhani? Thashethemet e përhapura me këtë rast informonin se kishte lindur në Turqi se ishte shkolluar në një kolegj perëndimor në Izmir se kishte studiuar në Gjermani, informacione këto që në fund të fundit nuk thoshin ndonjë gjë të madhe pasi Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicien për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët ishte pikërisht fakti se ai nuk bënte asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij. Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private. Por me të ardhur në Shqipëri ai filloi të shpaloste shkallë-shkallë qëllimin e kthimit. Dhe këtë e bën me shkrimet e tij. Shkrime të botuara në organe shtypi si “Demokratia”, “Neoshqiptarizma”, “Përpjekja Shqiptare”, “Minerva”, “Ilyria”. Dhe pikërisht nga këto shkrime kuptohet se ai është pikërisht një shfaqje e domosdoshme pasi shkrimet e tij i ofrojnë shoqërisë shqiptare atë çfarë i nevojitej më shumë: - një alternativë zhvillimi. Dhe në këtë pikë Merxhani mbetet ndoshta intelektuali më emancipues i shoqërisë shqiptare ose më saktë intelektuali më i vetëdijshëm për nevojën e modernizimit të saj, shoqëri që në atë periudhë ishte në një udhëkryq të vërtetë. Cilin nga alternativat shoqërore që i ofroheshin duhej të zgjidhte shoqëria shqiptare? Konservatorët e shtynin shoqërinë shqiptare drejt tradicionalizmit, modernët drejt imitimit të modeleve të huaja, të majtët drejt komunizmit, të djathtët drejt fashizmit dhe absolutizmit, ekscentrikët drejt anarkisë e kështu me radhë. Në këtë vorbull alternativash dhe ideologjish, në këtë qerthull politikash dhe ndërthurje interesash Merxhani ofron një ideologji të vetën, neoshqiptarizmën - ideologji e mbështetur në njohjen e realitetit shqiptar dhe të nevojave të tij për ndryshim. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera kryesore e ideologjisë së tij pasi ai është i vetmi që arrin me ideologjinë e tij ekuilibrin e duhur mes dy elementëve të mësipërm pra realitetit dhe ndryshimit të tij. Edhe pse ka jetuar pak në realitetin shqiptar, Merxhani në mënyrë paradoksale e njeh më mirë dhe i përcakton më saktë nevojat e saj. Kjo pasi me sa duket ai është edhe më pakushtëzuar nga ky realitet. Ai nuk ka këtu të shkuar, nuk ka interesa të tjera përveç atyre që lidhen me pasionin e tij, nuk ka të afërm, rreth miqësor apo shoqëror që ta kushtëzojë në mendime dhe ta joshë drejt veprimtarisë politike, Merxhani nuk ka këtu asgjë të tillë përveç atdheut dhe dëshirës për t’i dhënë shoqërisë shqiptare një alternativë zhvillimi. Pasi e ka njohur mirë shoqërinë shqiptare ai e ka kuptuar se është një shoqëri gjysmë primitive. Gjysmë primitive që duhet shndërruar në moderne. Dhe për këtë në shkrimet e botuara në organet e ndryshme ai analizon dhe trajton probleme ekonomike dhe politike, probleme që lidhen me sistemin administrativ dhe juridik, probleme të rrolit të intelektualëve, të sistemit arsimor, probleme kulturore të gjitha probleme strukturore të shoqërisë shqiptare. Ajo që bie në sy në shkrimet e tij është bashkëkohësia e ideve të tij, dhe niveli i lartë profesional i trajtimit të tyre. Në ndryshim nga rilindësit që i trajtonin në mënyrë romantike dhe poetike problemet shoqërore me Merxhanin kemi modelin e intelektualit që i trajton në mënyrë shkencore dhe të argumentuar problemet e shoqërisë shqiptare. Ai është sociologu modern që u jep zgjidhje në mënyrë shkencore këtyre problemeve. Nuk është rastësi që Merxhani e shtron problemin e emancipimit të gruas shqiptare si një kusht për zhvillimin e shoqërisë dhe modernizimin e saj qysh në vitet 30 vite kur p.sh edhe në shumë vende evropiane gruaja nuk kishte ende të drejtë vote. Merxhani ishte në kohë edhe kur përkthen leksionet e Frojdit për psikanalizën ndërkohë që ai ishte ende shumë i diskutuar në Evropë, Merxhani ishte në kohë madje i parakohshëm kur argumenton në shkrimin e tij “Pse nuk jam marksist” rreziqet e komunizmit për shoqërinë shqiptare. Dhe të mendosh se këtë gjykim ai e bënte në një kohë kur ideologjia komuniste dhe ëndrra për realizimin e tij kishte pushtuar mjaft intelektualë të shkëlqyer evropianë. Formimi i tij kulturor dhe përkushtimi ndaj ideologjisë së tij programative për shoqërinë shqiptare të quajtur nga vetë Merxhani Neoshqiptarizma, e bën atë të gjejë në shumicën e rasteve zgjidhjen e duhur dhe këtë t’ia rekomandojë edhe shoqërisë shqiptare. Ishte bërë zakon në vitet 30 që për hir të antikomunizmit shumë intelektualë ta gjenin zgjidhjen e duhur tek fashizmi si sistem që i kundërvihej në mënyrë të drejtë komunizmit dhe pengonte përhapjen e tij. Merxhani përkundër luhatjes së shumë intelektualëve të djathtë shqiptarë dhe simpatisë së tyre për fashizmin nuk u pajtua me të dhe nuk e rekomandoi atë si zgjidhje për shoqërinë shqiptare. Merxhani e orientonte shoqërinë shqiptare drejt modernizimit të saj, i ofronte asaj arritjet e shoqërive më të zhvilluara, kërkonte që këto elementë të ndërthureshin me elementë pozitivë të kësaj shoqërie, ta ndryshonin atë, pa e tjetërsuar. Studiuesi A. Plasari e quan këtë projekt në një studim hyrës me rastin e botimit të veprës së Merxhanit “utopia Merxhani”. Një konstatim i tillë edhe pse i saktë nuk ja zbeh vlerën, përkundrazi, në historinë qytetërimit botëror ka projekte që mbeten utopike për shkak të pamundësisë së tyre për t’u zbatuar, për shkak të mosreceptimit apo të metafizikës së tyre, për shkak të idealizmit të tepërt që i përshkruan apo për shkak të mungesës së racionalitetit të tyre. Projekti Merxhani është konkret, dhe i zbatueshëm dhe mbeti i pazbatueshëm vetëm për shkak të zgjedhjeve të gabuara që bëri shoqëria shqiptare. Ndërkohë autori del pandjeshëm nga skena teksa zhytet në gjumin e amshueshëm. Ai vdes në vitin 1981 në Stamboll ku jetonte prej pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në historinë e kulturës shqiptare janë të paktë ata krijues që kanë bërë kaq shumë dhe për të cilët kemi kaq pak të dhëna biografike. Ndoshta dhe ky ishte një qëllim i Merxhanit. Të shfaqej ashtu në mënyrë enigmatike, të bënte të ditur projektin e tij dhe pastaj të zhdukej po në atë mënyrë që u shfaq duke na lënë në dorë vetëm projektin e tij të zhvillimit shoqëror: Neoshqiptarizmën. Ky projekt ishte e vetmja gjë që ai nuk dëshironte të kishte fatin e tij personal-shpërfilljen.

No comments: