Dr. Robert Elsie - SHKËLQIMI I SHKURTËR I ELITËS

Kulmi letrar në Shqipërinë e viteve 30

Brenda një periudhe prej pesë vitesh në mesin e viteve tridhjetë, u realizua një hap i madh përpara në fushën e letërsisë. Në poezinë, Lasgush Poradeci botoi përmbledhje lirike të mahnitshme: Vallja e yjve, Constancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni, i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, arriti ta dërgonte vëllimin e hollë Vargjet e lira, Tiranë 1936, në shtyp para se vepra e tij të ndalohet dhe se poeti vetë të vdesë; dhe Gjergj Fishta paraqiti versionin përfundimtar të epikës së pashoqe Lahuta e malcís, Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Në fushën e prozës shqiptare u botuan: romani nihilist Nga jeta në jetë - Pse!?, Korçë 1935, nga Sterjo Spasse; përmbledhja e dytë e tregimeve të Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; romani i mirëpritur i kritikës sociale, Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, nga Haki Stërmilli; dhe vëllimi i parë i tregimeve të Mitrush Kutelit, Nete shqipëtare, Bukuresht 1938. Edhe Migjeni i botoi njëzet e katër skiza të mprehta nëpër gazetat e ndryshme brënda pesëvjeçarit 1933-1938 dhe e mbaroi dorëshkrimin e pabotuar, Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në fushën e dramës, Etëhem Haxhiademi e mahniti publikun e kulturuar me tragjeditë klasike të cilat, edhe pse nuk ishin gjë e re nga përmbajtja, e treguan një finesë të padëgjuar dhe të paparë në skenën shqiptare. Aq shpejt sa letërsia, u zhvillua edhe zhurnalizmi, i cili që nga koha e Rilindjes, vazhdoi të luante në rol themelor në afirmimin e kulturës kombëtare. Nga moria e gazetave javore dhe mujore nacionaliste jetëshkurtra që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, u zhvillua një zanat zhurnalistik me cilësi që i shërbeu përhapjes së informacionit, qoftë politik, kulturor ose letrar. Me gjithë strukturat primitive që zotëroheshin akoma në kohën e Ahmet Zogut (1895-1961), të bërë tashme Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve, shtypi u zhvillua në mënyrë liberale. Botuesit, po të kishin kujdes të mos kritikonin familjen mbretërore dhe politikën e jashtme të mbretit, mund të botonin si të donin. Cenzura ekzistoi, si në çdo diktaturë, dhe herë pas here gazeta u mbyllën, por situata kurrë nuk ishte aq tmerrshme se sa në periudhën pas ?çlirimit'. Në krahasim me vendet e tjera në vitet tridhjetë dhe dyzet, relativisht pak libra u botuan në Shqipëri. Kjo ishte rezultat i mungesës së zhvillimit ekonomik si dhe i analfabetizmit të lartë. Leximi i librave mbeti argëtim për një pakicë shumë të vogël meshkujsh. Një rritje e dukshme në prodhimin letrar, bile lulëzimi i kulturës së shkruar në Shqipëri varej atëherë shumë nga revistat dhe gazetat letrare të kohës të cilat i ofruan shumë shkrimtarëve të rinj një mundësi botimi dhe përhapën vepra dhe idera në tërë vendin. Revistat katolike të Shkodrës, si Hylli i Dritës (1930-1944) i Gjergj Fishtës, Zâni i Shna Ndout (-1944), dhe Leka (1929-1944), vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve. Për komunitetin mysliman doli në Tiranë revista Zâni i naltë (1923-1938) e cila informoi lexuesin mbi kulturën islame në Shqipëri dhe në Lindjen e Mesme. Por kishte edhe shumë revista të mira jofetare që ndihmuan në afirmimin e kulturës së shkruar të kohës. Revista mujore liberale Minerva (1932-1936) u botua në Tiranë ndër të tjerët nga Tajar Zavalani (v. 1976), artisti Odhise Paskali (1903-1985), Nebil Çika (v. 1944) dhe Stefan Shundi (1906 - ca. 1944). Shumë prej këtyre zhurnalisteve bashkëpunuan në revistën kulturore Illyria (1934-1936) në të cilën Migjeni botoi prozën dhe poezinë e parë. Një hap i madh përpara u realizua me revistën Përpjekja Shqiptare (1936-1939) e Branko Merxhanit (v. 1976). Për përhapjen e iderave të të majtës progresiste kishte edhe revista dyjavore ABC (1936) të Petro Markos dhe Bota e Re (1936-1937) komuniste të Korçës. Më vonë dolën revista mujore Shkëndija (1940-1943) e themeluar nga Ernest Koliqi, Fryma (1944), Revista letrare (1944) dhe Kritika (1944). Me kohë, kultura e kësaj periudhe filloi të tregonte gjurmët e polarizimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria ishte prekur fillimisht shumë pak nga iderat dhe idealet e Revolucionit të Tetorit në Rusi, me gjithë se një sasi e vogël figurash intelektuale e kishin vizituar Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i njohur më vonë si Peshkopi i Kuq, shkrimtari Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel Sejfulla Malëshova (1901-1971) dhe Tajar Zavalani. Padrejtësitë sociale në Shqipëri, të theksuara akoma më shumë nga një diktaturë gati bizantine, si dhe ngritja e Italisë fashiste mbushën mendjen e shumë intelektualëve të viteve tridhjetë që të interesoheshin për komunizmin sovjetik, ose të paktën për ndonjë lloj socializmi, për të luftuar kundër varfërisë dhe shfrytëzimit të masave fshatare. Polarizimi i ideologjive u theksua akoma më shumë me fillimin e Luftës Civile të Spanjes në vitin 1936. Shkrimtarët Petro Marko (1913-1991) dhe Skënder Luarasi (1900-1982) dhe një kontingjent shqiptarësh u nisën për në Katalonjë për ta marrë pjesë në Brigadat Ndërkombëtare. Idera socialiste zhvilloheshin në Shqipëri, por në të njëjtën kohë zhvilloheshin edhe idera fashiste. Një figurë mjaft interesante e kulturës shqiptare të viteve tridhjetë ishte Branko Merxhani, botuesi i revistës Përpjekja Shqiptare që nga tetori i vitit 1936. Merxhani e kishte të qartë se vendi i tij ishte i pazhvilluar në çdo drejtim, edhe intelektualisht, dhe bëri thirrje për një rilindje shpirtërore të cilën ai e quajti Neoshqiptarizmi. Kjo rrymë intelektuale hyri në shoqërinë shqiptare afër vitit 1928, me gjithë se rrënjët i kishte në Rilindjen Kombëtare të shekullit nëntëmbëdhjetë. Duhej tani në Shqipërinë e pavarur një identitet kombëtar, një vetëdijë shqiptare për ta nxjerrë miletin nga errësira dhe injoranca. Shqipërine e quajti një qënie e kufizuar së jashtëmi dhe e pakufishme së brëndshmi. Së bashku me shkrimtarin fashist Vangjel Koça (1900-1943), Merxhani e paraqiti Neoshqiptarizmin në vitin 1929 në gazetën gjirokastrite Demokratia dhe në vitin 1930 në revistën Neo-Shqiptarizmi. Neoshqiptarizmi e kishte për bazë nacionalizmi ideologjik. Në formën e mirëfilltë ishte një lëvizje kulturore dhe jo politike. Në fjalët e Merxhanit: ?Politikë s'ka! Vetëm kulturë!? Me kohë, Neoshqiptarizmi u bë një kundërpeshë ideologjisë më të politizuar socialiste dhe internacionalizmit të majtë. Edhe pse ishte një krijim shqiptar, Neoshqiptarizmi duhet shikuar ne suazën e ideologjive nacionaliste të tjera të Evropës së viteve njëzet dhe tridhjetë: hellênikótêta greke, kryesisht nën diktaturën e gjeneralit Joanis Metaksás (1871-1941) të viteve 1936-1940, italianità italiane në kohën e Duçes italian Benito Musolini (1883-1945), dhe hispanidad në Spanjen fashiste të gjeneralit Fransisko Franko (1892-1975). Ngadalë ato u bashkuan për të krijuar fashizmin evropian, i cili e solli një diktaturë brutale dhe panjerëzore kudo në Evropë. Shkrimtarë shqiptarë të viteve tridhjetë u tërhoqën, u mahnitën nga Perëndimi dhe u përpoqën ta zbulojnë rolin e Shqipërisë në Evropë. Kjo ishte një temë kryesore në shtypin letrar të kohës. Një sasi e madhe intelektualësh kishin qenë jashtë vendit dhe kishin parë shoqërinë perëndimore. Duke ardhur nga vendi të cilin, sipas shprehjes së njohur, ?e don Zoti sepse u ndryshua aq pak që nga koha e krijimit të botës?, ata ishin të tërhequr, por gjithashtu të çorientuar, të tmerruar me gjendjen e Shqipërisë. Fjala Perëndim në Shqipëri kishte një kuptim disi të paqartë duke qenë se vendi perëndimor më afër Shqipërisë ishte Italia fashiste e Musolinit. Me 7 prill 1939, diskutimi intelektual mbi rolin e Shqipërisë në Evropë u bë i tepërt pasi trupa italiane pushtuan Durrësin, Vlorën dhe Shëngjinin për ta kolonizuar gjithë Shqipërinë. Është puna e historianëve për të vlerësuar në çfarë masë përqafimi kulturor italian i Shqipërisë dhe më vonë pushtimi drejtpërsëdrejti politik i vendit ishin një fitim ose një humbje kulturore në atë fazë të zhvillimit. Shumë shpejt erdhi një luftë botërore. Polarizimi i ideve evropiane të Lindjes së Re dhe të Perëndimit të Ri, d.m.th. të komunizmit dhe të fashizmit, solli me vete konfrontimin përfundimtar në Shqipëri, si dhe kudo tjetër në Evropë, gjatë të cilit vendi ju nënshtrua vullnetit të pamëshirshëm të ekstremistëve politikë dhe ushtarakë, dhe gjatë të cilit shkrimtarë dhe intelektualë të të gjitha krahëve politike u detyruan të përgjunjeshin. Nuk e teprojmë kur themi se jeta intelektuale dhe kulturore shqiptare kishte arritur një kulm nga mesi i viteve tridhjetë deri në gjysmën e parë të viteve dyzet. Për herë të parë ekzistonte në Shqipëri një letërsi moderne bashkëkohore me cilësi. Kombi shqiptar qe arritur në moshë. Kjo periudhë, një lloj kohe e artë, solli një lulëzim, por një lulëzim tepër të shkurtër në hije të katastrofës e cila do të shfaroste gati gjithë prodhimtarinë letrare dhe kulturore për më shumë se njëzet vjet. Edhe një herë në historinë e kulturës shqiptare burbuqet e letërsisë u mblodhën. Edhe një herë rrënjët e bimës u prenë.

No comments: