FAIK KONICA - ENCIKLOPEDIA SHËTITËSE

Konica, “model i krijuesit kritik” në “kohën e lavdit dhe mitit”

Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare, në kohën kur shqiptarët nuk e tejkalonin kënaqësinë e ëndrrës që e kishin krijuar romantikët përmes “letërsisë së adhurimit, të mitizimit e të pëlqimit”.
Konica “krijuesi i dialogut me kohën, i pakënaqur dhe tekanjoz”, siç do ta quante Sabri Hamiti, e kishte obsesion Naim Frashërin, ngase ishin dy modele të kundërta kulturore. Njëri e krijonte ëndrrën mahnitëse, ndërsa tjetri e prishte dhe ftonte për një ballafaqim me vështirësitë e jetës. Madje sikur nuk i mjaftonte kjo dhe ua nënçmonte edhe bardin kombëtar, Naimin, duke e lavdëruar si atdhetar, por si shkronjëtor, s’qe gjë. Madje edhe më shumë se kaq: e akuzoi për mungesë virtyti, për incest.
Si njeri i shkolluar në Francë, që kishte jetuar në ambientet artistike të Parisit dhe Londrës, që kishte njohur aristokracinë evropiane dhe artistët e saj, që njihte mjaft modele letrare, që e dinte se atdhedashuria dhe letërsia ishin dy gjëra të ndryshme, ai nuk mund të lavdëronte një atdhetar për punë tjera për të cilët nuk ish edhe aq i zoti. Konica e dinte se moralizimi dhe elementet didaktike e dëmtonin një vepër letrare. Konica nuk ishte iluminist, ai nuk kishte misionin e një romantiku që ta mësonte popullin e vet, jo, ai më shumë se kaq dëshironte të vinte binarët e një letërsie të re, e cila nuk do të vlerësohej sipas kritereve ideologjike (qoftë ajo edhe kombëtare), por sipas kritereve estetike. Si rëndom, në kësi rastesh, ndodh edhe keqkuptimi. Madje keqkuptimi mund të ndodh edhe sikur Konica të kishte jetuar sot.
Ndryshe nga romantikët që kishin krijuar mitin për shqiptarët si popull i zgjedhur, pa vese, Konica foli edhe për veset e tyre, i bindur se shqiptarët nuk do të mund të zhvilloheshin duke u mburrur, por duke qenë kritik ndaj vetvetes. Konica e kritikoi shqiptarin për mungesë ideali; që vritet për cikërrima e jo për ndonjë çështje.
Në “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, ku te Plugu mund të identifikojmë Konicën, ai do të ironizonte skajshmërisht. Në thelb kemi keqkuptimin e Plugut me turmën e pazhvilluar.
Plugu, njeri me kulturë, që e dinte se mësimi nuk ka fund dhe se “vetëm gjysmë-të-diturit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet”, dëshironte t’i kthente Zullutë nga një turmë e shkapërderdhur, që nuk kishte kuptim për thellësinë e jetës, në një komb të njëmendtë. Pra është një konflikt mes individit të zgjuar dhe kolektivitetit të mashtruar dhe të fjetur. Edhe Konica e kishte të qartë se që të bëhej një komb duhej të kishte një letërsi të mirëfilltë, një gjuhë të njësuar, ashtu siç e kishin kombet që e kishin krijuar identitetin e tyre kombëtar.
Si rëndom ata që kritikojnë edhe keqkuptohen më shumë, ngase dëshirojnë të sjellin një model të ri jetese, ndërkohë që modeli ekzistues, ndonëse me afat të skaduar, është vështirë për t’u flakur tej. Keqkuptimi, si rëndom ndodh përherë me figurat e mëdha që i japin një kahe tjetër zhvillimit sociokulturor të një populli.
Në veprën “Dr. Gjëlpëra…” kritika do të ishte edhe më e drejtpërdrejtë.
Një pyetje e Konicës edhe sot mbetet aktuale, por përgjigja mungon: si të bëhen shqiptarët?…
2. Faik Konica rizbuloi flamurin me shqipen e zezë dykrenore në një sfond të zi, për të cilin do të shkruante një eseun monumental. Ashtu siç dinte ai. Janë të papërsëritshme edhe esetë: “Flamuri”,“Malli i atdheut”, “Ca kujtime mbi at Gjeçovin”, “Prometheu i lidhur” etj.
“Jeta është pa gëzim, dhe librat i kam kënduar të gjitha”, me këtë varg të Stefan Mallarmesë e pat filluar esenë “Prometheu i lidhur”. Pastaj... një atmosferë mërzie. Teksa mendon se do të zhytet në dallgët e zhgënjimit dhe pesimizmit, gjendet një pikëmbështetje, një shpresë: “me një herë muzika e artit na zgjon zëmrën dhe na ngjallë përsëri mendjen”. Është libri “Prometheu i lidhur” i Eskilit “një libër dy mijë e katërqind vjetësh i vjetër nga mosha; por nga mendimet aq i ri sa duket sikur u shkrua dje, duket sikur përqesh me hidhërim, dhe stigmatizon për jetë ndonjë njeri të pasuruar nga lufta ose ndonjë salepçi mbret që rrëmben fuqinë në rrëmujë’ e sipër edhe, i dehur nga triumfi i papritur vërtit kërbaçin dhe kërkon gjah – se natyra e njeriut nuk ndërron. Dhe një poet i madh që zbulon të vërtetën e kohës së vet zbulon të vërtetën e gjithë kohërave të pastajme”.
Konica është një ndër polemizuesit më të shkathtë, njëkohësisht më nervozi. Njërin do ta quante xuxuboç, tjetrin zuzar, një tjetër pyzeveng. Por ai dinte të shkruante edhe ndryshe, me kokë më të ftohur. Në veprën e papërfunduar “Shqipëria, vend shkëmbor i Evropës Juglindore” do të mbështetej në argumente, në dokumentet ekzistuese, do të shpaloste dijet e tij enciklopedike për probleme të ndryshme sociokulturore e historike.
Edhe si shkrimtar ai është i veçantë. Se vepra e tij nuk është e papërfunduar dëshmojnë edhe prozat e tij poetike: “Bora”, “Në liqen”, “Anës liqenit” dhe “Dita e verës”. Të pakta për nga sasia, por aq të mëdha për nga vlera artistike…
3. Ai është i veçantë në çdo aspekt, si në jetë ashtu edhe në krijimtari.
Nuk e duronte dot Ismail Qemalin, kryetarin e përkohshëm të shtetit. Mbase edhe për inatin e tij, më 1913 e lë Vlorën dhe i bashkohet në Durrës forcave të Esad Pashë Toptanit, që ndonëse e urrente e ndihmoi të formonte qeverinë e ndarë shqiptare. Një gabim i rëndë që nuk iu fal kurrë. Dhe nuk ka si i falet.
Mbretin Zog herë e lavdëronte, herë e shante. A nuk ishte ky Faiku që faqe ndërron, që dje shante e sot lëvdon, siç do ta paraqiste Noli? Ndonëse ambasador i Zogut, ai nuk kthehej në atdhe nga frika e ndonjë komploti të mundshëm. Megjithatë, më shumë se sa ambasador i Zogut, ai ishte ambasador i vendit të tij.
Polemizoi edhe me Fan Nolin, por nuk e humbi respektin për aftësitë e këtij të fundit. Noli do ta quante veten nxënës të tij.
“Mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe”, thotë Noli, i cili me këshillat e Konicës kishte përkthyer disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Po dhe Don Kishotin e Servantesit.
Konica ishte mik me poetin e njohur francez, Gijom Apolinerin, që kritiku letrar Luan Starova, do ta quante një miqësi evropiane. Shkrimtari Zhyl lë Metrë do të thoshte për Konicën: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”. Ky shqiptar që e njohu aq mirë edhe gjuhën e vet:
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë përmbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”. Ja kjo është Lutja për shkrimtarët.
4. Faik Konica lindi më 15 mars 1876 në Konicë në gjirin e një familje fisnike. Një nga paraardhësit e tij ishte edhe Ali Pashë Tepelena. Në moshë të re ishte pjesë e kolegjit të jezuitëve në Shkodër. Njohja e frëngjishtes, anglishtes, latinishtes, greqishtes, por edhe njohja e artit dhe muzikës perëndimore, siç do të thoshte Sylvie Le Ray, “e bënë të ndërgjegjshëm të riun Konica mbi lidhjet e ngushta ndërmjet thesarit kulturor shqiptar dhe humanizmit evropian, lidhje e fanitur nga pesë shekuj pushtimi otoman”. Kishte kryer me sukses studimet në letërsi dhe filozofi në Universitetin shtetëror të Dizhonit. Shkollimin e mbaroi në Universitetin e Harvardit, kurse më 1912 u bë magjistër i artit dhe letërsisë.
Si 21 vjeçar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan.
Ishte kryeredaktor i revistës Dielli (1909). Në Sent Luis (1897) nxori të përkohshmen “Trumbeta e Krujës”, ndërkaq në Boston, së bashku me Nolin, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që mbronte pavarësinë e shtetin shqiptar, të sapoformuar. U zgjodh sekretar dhe kryeredaktor i Diellit, që u bë organ i saj.
Ishte delegat i “Vatrës” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për krijimin e shtetit shqiptar.
Në kohën e sundimit gjashtëmujor të Princ Vidit, nuk morri poste qeveritare, nuk bashkëpunonte me askënd dhe nuk i besonte askujt.
Më 1914 ishte Konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Uashington.
Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë.
Kritika e sotme letrare e ka cilësuar si model i krijuesit kritik, i cili nuk kishte se si të kalonte mirë në kohën e lavdit dhe mitit.
Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.
“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.
Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare.
Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova) nuk mund të bënin asgjë.
Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica.

1 comment:

Unknown said...

Paska harru me ja përmend se ka qene Komunist i Kuq dhe se ka marre pjese ne emer te komunistave te vendeve ballkanike ne Festimin e revolucionit rus.
Noli ka qene i madh por pak i shmangur nga linja kombetare (versioni origjinal i anes se lumenjeve...qe nga Moska deri ne Vlore (te cilen me vone e beri qe nga Shkodra deri ne Vlore...)
Megjithate ka qene i menqur...