ESEJA

Nga frëngjishtja essai = tentim, sprovë
Eseja është një shkrim i shkurtë në prozë ku shprehen qëndrimet dhe botëshikimet personale për ndonjë çështje nga jeta, morali, shkenca, arti, politika etj.
Sipas rregullit, autorët e esesë nuk përdorin metoda shkencore apo fakte logjike, por thirren në përvojën personale apo shoqërore.
Me ndihmën e shprehjeve retorike apo poetike ia servojnë lexuesit botëkuptimet personale.
Eseja konsiderohet si një gërshetim i letërsisë, shkencës dhe gazetarisë.
Sipas Sabri Hamitit eseja është formë shkrimi e patrajtë që njeh më parë impulset e krijimit se sa kufijtë e konventës dhe është forma më e përshtatshme për shpirtin krijues dhe kërkues, ku shkrepin idetë e pastra pa u lodhur të gjenden të gjithë argumentimet.
Në të shumtën e rasteve eseja shtron çështje pa pretendimin që t’i zgjidh ato. Shtron pyetje, por jo gjithnjë jep përgjigje.
Askund si në ese nuk shfaqet më mirë temperamenti dhe karakteri i krijuesit.


HISTORIA E ESESË

Mishel de Montenji (Michel de Montaigne) ishte i pari që e përdori këtë term, në vitin 1580.
Esetë e tij ishin meditime të lira mbi qenien njerëzore dhe për përvojën e tij jetësore.
Formën e esesë e gjejmë te Sokrati, Platoni, Theofrasti, Ciceroni etj.
Ndërmjet shekujve 16 dhe 17-të shquhet Frensis Bekoni, me esetë e tij mbi martesën, të vërtetën etj. Ai e quante esenë si “figuracion që jep më shumë oreks se sa ngopje”.
Më 1660 anglezi Abraham Cowley vazhdon traditën e esesë së tipit personal dhe refleksiv. Trajton tema sikurse janë: liria, vetmia, koprracia etj.
Eseja morri një pamje më moderne te autorët sikurse janë: Xhon Miltoni (1608-74), John Drydeni (1631-1700), Dr. Samuel Xhonsoni (1709-1784).
Në Gjermani lulëzoi me Shilerin (1759-1805), vëllezërit Shlegel, kurse më vonë u preferua edhe nga Hajnrih Hajne.
Në shekullin e 19-të dallojmë esetë e Saint-Beuve-it, Brander-it, Lemaitre-it etj.
Në shekullin 20-të shfaqen emra të rinj sikurse janë: E.M. Forsteri, Virgjinia Vulf, T.S. Elioti, Xhorxh Orvelli, Stefan Cvajgu, Andre Zhidi etj.
Në Europë eseja u përdor nga eseistët kryesisht për diskutim idesh dhe për qëllime politike.
Edhe sot eseja vazhdon që të mbetet një ndër llojet e preferuara për kritikët letrarë, shkrimtarët dhe publicistët.
Është forma më e lirë krijuese dhe lloji më i vështirë për t’u kanonizuar.


KLASIFIKIMI I ESESË
1. Në aspektin tipologjik kemi dy lloj eseshë:
a) Ese formale – ku nuk dominon elementi subjektiv i eseistit (autorit)
b) Ese joformale – që mund të quhet edhe personale, ku autori krijon më shumë intimitet me lexuesit e tij.

2. Sipas qëndrimit personal të autorit ndaj temës kemi:
a) Ese analitike – kur autori bën një interpretim logjik të temës që ka zgjedhur
b) Ese krijuese – kur autori mbështetet në përvojën e tij personale për të trajtuar një çështje. Imagjinata e autorit del në plan të parë.