BRANKO MERXHANI

Njeri pa biografi. Publicist dhe idealist. Lindi në Turqi në vitin 1894. Në Izmir kreu kolegjin dhe më pas studimet e larta në Gjermani ose Austri.
Thuhet se u shkollua në Lindje dhe u brumos nëpërmjet dijes oksidentale (perëndimore).
U angazhua për një shoqëri aksidentale, të bazuar në demokraci dhe në shtetin e së drejtës.
Lëvizja mendore “Neoshqiptarizma”, e ideuar nga Vangjel Koça, synonte orientimin e Shqipërisë drejt Evropës.
Erdhi në Shqipëri në fund të viteve 20 dhe u bë i njohur nëpërmjet shkrimeve që i kishte botuar në Demokratia, Neoshqiptarizma, Përpjekja Shqiptare, Minerva dhe Ilyria. Ndikimin më të madh në kulturën shqiptare e ushtroi nëpërmjet revistës Përpjekja Shqiptare (36-39), ndër më cilësoret në historinë e shtypit shqiptar, e cila ishte themeluar dhe drejtuar prej tij.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia largohet në Turqi, ku ndërron jetë në vitin 1981.
Vepra e tij, e mbetur gjatë kohë në harresë, është botuar e përmbledhur në botimin Formula të Neoshqiptarizmës, në vitin 1996, përzgjedhur dhe shoqëruar me parathënie nga dr. A. Plasari.
Një nga shkrimet e tij më të njohura është “Pse nuk jam marksist”, që është shkaku kryesor i letimit (ekskomunikimit) të tij nga diktatura komuniste.
Branko Merxhani mendonte se shqiptarët duhej që të ngriheshin mbi fantazitë e së shkuarës, kurse jeta politike nuk duhej që të përcaktohej nëpërmjet romantizmit dhe fantazive, por nëpërmjet shkencës. Sipas tij shkaqet e thella të anarkisë shoqërore duhej të ndriçoheshin nëpërmjet fenerit të shkencës së sociologjisë.
Për të shkenca ishte e e vërteta, kurse një popull që njeh të vërtetën arrin që të sigurojë jetëgjatësinë e vet.
Sipas Merxhanit jetë do të thoshte të mundje rrezikun, por për ta mundur duhet njohur.
Ashtu sikurse Fridrih Niçe bëri thirrje për organizimin e kaosit brenda vetes.
Një popull që e organizon kaosin brenda vetes ai arrin që të dëshmohet.
Si një sociolog besonte se shoqëria u nënshtrohet ca rregullave të caktuara dhe harmonike, të cilat duhej njohur me qëllim që të mos mbizotëronte kaosi.
Një nga utopitë e tij ishte edhe shërimi moral i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, sepse lodhja morale për të ishte fillimi i dekompozimit të një populli dhe të një shoqërie.
Branko Merxhani shkaqet e mjerimit shqiptar nuk i kërkoi jashtë shqiptarit, por brenda tij.
Robëria nën zgjedhën turke, sipas Merxhanit, nuk ishte vetëm për fajin e atij që mban dikë të robëruar, por edhe për fajin e atij që rri nën robëri. “E para është ngadhënjim, e dyta servilitet”.
Ai bëri thirrje që të mos paralajmërohej humbja, shkatërrimi, fataliteti, paniku, dëshpërimi, por të ngjallej brenda shqiptarit ndjenja e vetëmohimit për një jetë të përbashkët.
Pra ai angazhohej që shoqëria të kishte idealet e saj, sepse që një shoqëri të zhvillohet duhet që të ketë idealet e saj, pa të cilat shkon drejt dekompozimit.
Mbi të gjitha, ai u angazhua për krijimin e një inteligjencie të mirëfilltë shqiptare, me dije dhe kulturë... “Vetëm kështu do të ngrihet një jetë e re mbi gërmadhat e së shkuarës”.
Shqipëria, sipas tij, do të bëhej vetëm po qe se në shpirtin e kombit do të krijoheshin ideale shoqërore, vlera kombëtare dhe entuziazëm patriotik.
“Një Atdhe pa ideal e pa dije kurdoherë është i ekspozuar në rrezik”.
Këtë ngritje morale e shpirtërore ai e shihte nëpërmjet dijes, shkencës, artit, kulturës.
“Kultura është krijesa e lëvizjes së lirë të ideve. Fitimi që u realizua me pallë është më i paktë. Lufta e vërtetë është lufta për iderat”.
NEOSHQIPTARIZMA e Branko Merxhanit nënkupton njohje të realitetit dhe nevojën për ndryshimin e tij. Edhe pse ka jetuar pak në realitetin shqiptar ai e njeh më mirë, sepse, sikurse thotë Mark Marku, ai është i pakushtëzuar nga ai.
Shoqërinë shqiptare të asaj kohe, e cila ishte gjysmë primitive, ai dëshiron që ta modernizojë.
Në shkrimet e tij ai flet për probleme ekonomike, politike, probleme që lidhen me sistemin juridik dhe administrativ, për rolin e intelektualëve, sistemin arsimor, problemet shoqërore etj.
Merxhani besonte në fuqinë e ideve për ndryshimin e shoqërisë. Jo te riformulimi i ideve të vjetra, por te krijimi i ideve të reja.
Për Merxhanin shteti përbën përmbledhjen e personalitetit moral, shkencor, artistik, fetar dhe juridik të një turme njerëzore, teksa individi nuk është veçse një “krijesë me instikt”. “Dhe vetëm shtrëngimi dhe violenca e ndërgjegjes shoqërore këtë krijesë e transformon në një personalitet shoqëror… Për Neo-Shqiptarismën, Shtet do të thotë vullnet i shoqërisë”.
Për Merxhanin shpirti i Neoshqiptarizmës është idealizma shoqërore.
“Mirërojtjen e tij njeriu ia detyron jetës shoqërore. Dhe kombet ekzistojnë vetëm ahere kur mundin të krijojnë një ndërgjegje shoqërore. Jashtë kësaj vije njeriu është veç se një krijesë, dhe Kombet janë vetëm turma barbare”.
Për Merxhanin liria e mendimit individual është e pakufishme. Po, si elemente shoqërore, duhet të orientohemi me nevojat e jetës shoqërore.
“Si njerëz të mendimit të lirë, mundet të mos besojmë një gjë. Po, si elemente shoqërore, si elemente të përparimit dhe të rregullit, ai nga ne që do t’i mësojë vendit tonë, p.sh., ATHEISMËN, duhet të quhet kriminel përkundrejt nevojës shoqërore”.

No comments: