LASGUSH PORADECI

LASGUSH PORADECI

QËLLIMI I ARTIT
Qëllimi i artit është që në japë gëzim estetik, por këtë gëzim e ndien ai që është i përgatitur për ta ndierë. Prandaj duhet kulturë e madhe.
Jeta është e shkurtër, po sa e shkurtër është po aq edhe e rëndë. Lindim me të qarë, rritemi duke qarë, humbin nënën, babanë, të afërmin, shokun, shoqërinë, humbim të dashurin, dashurinë, humbim rininë, jetën, shpresën...
Për të gjitha këto dhimbje njeriu kërkon një ngushëllim, një kënaqësi dhe këtë e gjen tek arti.
Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike, që qëndron mbi të gjithë këto mizerje të jetës.
Këndojmë një poezi, shikojmë një pikturë, dëgjojmë një simfoni dhe kënaqemi!
Jeta na ëmbëlsohet, na bëhet më e dashur, më e bukur. Por këtë nuk e bëjnë të tërë njerëzit, prandaj arti nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata shpirtra të lartë që e ndiejnë, të tjerë ndiejnë të tjera kënaqësi. Arti nuk është për ata. Ata nuk i shajmë, as nuk i përçmojmë se nuk ndiejnë apo nuk e duan artin. Nuk është faji i tyre se arti është për shpirtra të tjerë, të lartë, me të tjera kualitete.

E BUKURA NË ART DHE NË NATYRË
Arti është më i fortë se sa natyra, më i përsosur. Natyra nuk është e përsosur. Ka në natyrë ndonjë peizazh të përsosur? Jo! Piktori, artisti i madh e bën peizazhin më të përsosur se sa natyra. Moisiu (i Biblës) mund të ketë qenë një njeri me pamje dosido, me mjekër të ashpër a me qime të rralla, ndoshta edhe më i shkurtër, po ja ku vjen Mikelanxhelo dhe ta bën atë Moisi më atë mjekër aq të bukur, me atë ballë të lartë, tamam profet. Ja arti! E bëri më të përsosur se sa natyra.

MBI KRIJIMIN DHE POEZINË LIRIKE
Po artisti përse krijon? Që të na kënaqë neve? Përse këndon bilbili? Përse këndon bufi? Përse këndon qyqja? Po për vete këndojnë! S’këndojnë që të na kënaqin neve! Ku e di bilbili se jemi ne kur e mbush pyllin me këngën e tij? Ku e di bufi? Ai këndon Buuu!... Buuu!... Për kë këndon?Këndon për vete.
E njëjta gjë është edhe me poezinë lirike. Pse, mos e bëri Dantja poezinë e Beatriçes që të kënaqë Beatriçen? Beatriçja edhe në ka ekzistuar, as e ka lexuar, se të mos ketë ditur shkrim. Përkundrazi, Dantja e bëri atë poezi, që të shkarkonte potencialin e zemrës së vet, që të kënaqej vetë. Për vete e bëri, jo për ne dhe as për Beatriçen. Por ne e lexojmë dhe kënaqemi, ndiejmë shumë nga gjërat që ka ndierë edhe ai vetë... Ai na dha pra një kënaqësi estetike.
Ecco! Ky është arti.
Poeti e bën poezinë që të kënaqet më përpara vetë, pastaj ne marrim pjesë në gëzimin e tij. Dhe marrin pjesë shekujt e gëzohen!

PËR POETIN DHE FRYMËZIMIN
Se ç’janë poetët e tha Sokrati. Atë e pyetën: - Pa na thuaj, ç’janë këta poetë? Ç’gjë të veçantë kanë? Si janë kështu që shkruajnë kaq gjëra të bukura?
Dhe Sokrati tha: - Poetët janë si ne, si unë, si ti, si ai tjetri. Njerëz janë, hanë, pinë, dehen, zihen, grinden, por kur shkruajnë poezi, një perëndi e veçantë u qëndron pranë dhe ata ndryshojnë dhe shkruajnë siç i mëson ajo. Kur kjo perëndi largohet, ata bëhen prapë njerëz si ne, si unë, si ti, si ai tjetri: hanë, pinë, dehen dhe grinden, siç grindemi ne të dy.

MBI KULTURËN E POETIT
... Rrija mbyllur në dhomën time dhe studioja. Se po nuk studiove shumë, nuk bëhesh dot poet. Dhe poet të bëhesh o i madh, o hiç, se po s’qe i madh, je hiç në art. Arti, siç kemi thënë, ka vetëm një gradë, gradë të parë.

MBI POEZINË
Një poezi që të jetë e mirë, duhet të jetë e sinqertë. Po që të jetë poezia e sinqertë, duhet të jesh më parë ti i sinqertë gjer në fund të shpirtit tënd, ti që shkruan. Në poezi s’gënjen dot.
Poezia s’është shaka! S’është vetëm varg me rimë e ritëm! Poezia kërkon fuqi të madhe shpirtërore. Poezia duhet të jetë personalissime.
E tillë, që, si ti, të mos ketë mundur ta ketë bërë njeri gjer më sot dhe që, si ti, të mos mundë ta bëjë tjetër njeri sot e njëmijë vjet.
Që të bësh një varg të mirë duhet shumë, shumë kohë. Që të bësh disa poezi të bukura nuk mjafton një jetë.
Kur themi poezi, kemi thënë cilësi, jo sasi. Poezi mund të shkruash vetëm pak, po ta shkruash ama!
Poeti s’duhet të shkruajë shumë. Një vëllim me poezi të mira, domethënë me poezi shumë të mira, mjaft e ka. Të tërë poetët e mëdhenj kaq kanë. Një vëllim! Edhe kur shkruajnë më shumë, ato që mbeten mezi bëjnë një vëllim. Ja, Hajne, ka shkrojtur shumë. Ç‘i do? Hajne mbetet poet i madh se ka një vëllim me poezi shumë të mira. Kaq i mjafton.
Eminesku mbetet poeti më i madh i Rumanisë me nja shtatëmbëdhjetë poezi shumë të mira.
***
Poezinë o bëje, o mos e bëj!
... Arti ka misteret e veta, që as artisti vetë s’di t’i shpjegojë.
Arti ka misteret, por ka edhe ligjet e veta. Edhe poezia ka misteret dhe ligjet e saj, dhe vetëm njërit prej këtyre ligjeve sikur të mos i përshtatet, poezia del e çalë.
Para së gjithash duhet një përmbajtje e fortë. Pra, duhet jo fabula, por një përmbajtje sa e lartë, aq dhe e thellë dhe e fortë.
Kjo përbën bazën për fillimin e një poezie, d.m.th. një dashuri e ndjerë thellë, një dashuri për atdhe, për liri etj.
Kushti i dytë është ky: Kësaj përmbajtjeje të dish t’i japësh një formë të përsosur. Pa këtë formë të përsosur artistike, sado e lartë dhe e thellë dhe e fortë të jetë ndjenja, rezultati është zero. Sepse Art do të thotë Formë.
Po të mos ketë një formë të përsosur që në kompozimin e përgjithshëm deri në çdo varg e çdo fjalë, poezia s’del mirë.
Parnasianët kishin poezi të përsosura nga forma, por vetëm kaq.
Formë vetëm formë. Një nga këta ishte Syli Prydom (Sylly Prudhomme). Ai ishte i pari që mori çmimin Nobel. Po sot ku është? Kush pyet për poezinë e tij që është vetëm formë?
Po poezia ime vetëm formë është? Ajo ka formën që ka imponuar përmbajtja. Forma duhet të jetë doemos e përsosur që poezia të mos ngordhë.
Për këtë duhet luftë. Luftë titanike, me formën e jashtme! Pa këtë formë të jashtme të përsosur, poezia jo që s’rron, po as nuk vdes dot, se ngordh.
Kushti i tretë është ky: Kjo përmbajtje dhe formë që ke gjetur duhet të jepen nëpërmjet një stili të ri, origjinal, të panjohur më përpara. Dhe ky stil jep individualitetin e artistit.
Ato poezi që s’kanë këto kualitete, shkruhen kot, se s’rrojnë, vdesin, s’kalojnë dot shekujt. Poezia duhet t’i ngjallë të njëjtat emocione, si lexuesit të sotëm ashtu dhe atij që do të vijë pas njëmijë vjet.
Një poezi që s’është e këtij kalibri jo vdes, po zhduket! Poezitë e Fan Nolit: “Rent, o Marathonomak” ose “Moisiu në mal”, i kanë cilësitë që përmendëm.
Një kusht tjetër është shkurtësia.
Një poezi duhet të jetë jo shumë e gjatë. Një poezi duhet të jetë jo vetëm e bukur, por aq e gjatë sa të mos e mërzitë lexuesin. “Iliada” është vepra më e mirë poetike, po kush e merr ta lexojë? Po cili poet e lexon? E lexojnë tepër pak, pse? Se është e gjatë. Prandaj poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave në minimumin e fjalëve...
E vetmja gjë që mbetet është poezia. Dhe nga kjo mbetet poezia e shkurtër, vetëm kjo kalon shekujt.
Nga proza s’mbetet gjë. Edhe kur mbeten, mbeten ato të shkurtrat. Shkroi Gëtja romanin “Jeta e Vilhelm Majsterit”, po kush pyet? Nga Gëte mbetën vetëm ato poezitë e bukura dhe të shkurtra.
Sa poezi ka Fan Noli? S’ka as dhjetë. Kjo s’e ka penguar të jetë një nga poetët tanë më të fuqishëm.
Poezia është divine (yjnore). Prandaj kur shkruan poezi, duhet të kesh shpirtin e shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?
Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi.
Poezi s’do të thotë shumë vëllime. Poezi do të thotë: një vëllim!
Një vëllim me poezi shumë të mirë, kaq!
Poezinë e bën gjithashtu toni. Toni bën muzikën.
Rimën ne nuk e vëmë për formë, por e vëmë se potencializon vargun dhe, që të bëhet e tillë, duhet të jetë në harmoni me zhvillimin e brendshëm spiritual të vargut.
Unë them se cilësi e parë e poezisë është qartësia, të kuptuarit lehtë të saj. Simbolizmi, përkundër, ka poezi të errët, të pakuptueshme. Cila nga poezitë e mia s’është e qartë? Cila nga poezitë e mia është e errët? Cila nga poezitë e mia është e pakuptueshme? Asnjë!
Arti ka vetëm një kualitet: Kualitetin e Lartë, ai është Absolut, Monark, Perandor, Autokrat, Diktator...

***
Fjalët në fjalor janë banale: bukë, ujë dru... etj, s’thonë më shumë nga ato që thonë. Poeti përkundër, fjalët duhet t’i zgjedhë dhe t’i verë në atë formë që shprehin më shumë.
Një fjalë false e prish poezinë. Ti ndjenjën mund ta kesh të thellë sa të duash, të pastër sa të duash, të sinqertë sa të duash, po duhet ta shprehësh me fjalë dhe, kur kjo fjalë tingëllon false, domethënë nuk është aq e butë sa duhet, aq e ëmbël, aq e thellë, aq e fortë sa duhet, poezia del e dobët.
Ajo ndjenja jote e sinqertë, e thellë, e pastër, e ndierë, doli false.
Duhet të gjejmë e të vëmë tamam atë fjalë që duhet. Por për këtë duhet punë.

KRIJIMI I POEZISË
Krijimi i poezive është një metafizikë e tërë e pashpjegueshme dhe vargu del në mënyrë të natyrshme si pasojë e harmonisë që duhet të ketë me vrullet e brendshme shpirtërore.
Poezia është quint esenca e prodhimit më të lartë intelektual të njeriut. Doktorata mund të marrin të tërë, se ajo kërkon vetëm punë sistematike dhe ai që e do, e bën. Por poezinë s’e bën dot kushdo.


POETI DHE ATDHEU
Shqipëria lindi së pari në mendjen e poetëve, pastaj ata e kënduan në veprat e tyre. Këto vepra në poezi i lexuan patriotët e shkolluar dhe më vonë këta patriotë e përhapën në masën e popullit. Pra, Shqipëria më pas u krijua edhe në shpirtin dhe mendjen e popullit, e kur e patën në mendjen dhe shpirtin e tyre, u ngritën shqiptarët për ta bërë realitet. Luftuan në Jug e në Veri kundër turqve otomanë gjer në 1912, kur Ismail Qemali e shpalli Shqipërinë, Shqipëri. Gjërat krijohen më parë në shpirt e në mendje, pastaj punohet për t’i bërë ato konkrete. Në Bibël thuhet: E para ishte fjala, pastaj u krijua bota.
Po s’u krijua më parë në shpirt liria, njeriu nuk lufton për të qenë i lirë. E këtë e bëmë të parët ne, Poetët.

POEZIA – LIBËR FORMIMI
Përpara të gjithave është poezia. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër me një roman është libër bashkëbisedimi, ndërsa një libër me poezi është libër formimi.
Me vargjet e Marsejezës në gojë:
Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë
Bashkoi burra se s’ka me prit
Janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Po më thuaj me ç’roman ka ngjarë kjo? Me asnjë. Poezia ka mundësi shprehëse më të mëdha nga ç’ka muzika. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë. Jo të lartë, po shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vemë shpirtit të kombit themele të shëndosha.
MBI HOMERIN DHE SHKOLLAT LETRARE
Homeri është i madh, poet i madh, se na përshkruan njeriun, të përbrendshmen e tij e cila është eternale. Ati na përshkruan natyrën me saktësi e vërtetësi, po me vërtetësi poetike. A mos duhet ta quajmë Homerin sentimentalist, dekadent, se na thotë që ky Odise, ky hero legjendar na qau për qenin besnik. Kështu poeti na e dha në art një realitet të idealizuar.
Po ç’ishte Homeri? Romantik? Realist? Surealist? Homeri ishte poet dhe bënte poezi.
Më kot mundohen nëpër shkolla të mësojnë se si bëhet poezi. Atje mësojnë vetëm ca rregulla të thata. Po se si duhet bërë poezia e gjen vetë poeti, po të jetë poet. Se s’e ka thënë më kot latini: “Poeta nascitur. Orator fit!”(Poeti lind. Oratori bëhet).
Leonardo e mësoi artin në studion e Verrokios. Unë e mësova në atelierin e Lasgushit. Punishtja ime ishte zemra ime.

MBI POEZINË POPULLORE
Asnjë poezi popullore, e çdo populli qoftë, nuk është e përsosur. Gjenden kur e kur vargje ose strofa të përsosura, por asnjëherë s’gjen poezi të tërën të përsosur.
Poezia popullore kështu është, po asnjë poet s’mund të krijojë pa studiuar poezinë popullore, të paktën të vendit të vet. Bërnsi ka marrë nga poezia popullore jo fjalë, jo vargje po strofa të tëra dhe i ka shkrirë në poezinë e vet.
Nga poezia jonë popullore më të mira janë “kënga e Gjergj Elez Alisë” dhe një variant i këngës së “Dhosi Zado Korçarit” botuar nga Thimi Mitko.

MBI DASHURINË DHE FEMRËN
Unë së dashurës i këndoj bukurinë shpirtërore, po edhe bukurinë trupore; ta prek, ta puth, ta përqafoj, se jam njeri, jo engjëll! Kjo është jeta. Kjo është natyra. Natyra s’është as amorale, as morale, as imorale. Është natyrë, pra e shenjtë.
Prandaj mua s’më ngop asjo dashuri qiellore, jashtëtokësore, dhe prapë duke kaluar hapësirat e pafundme me shpejtësia të llahtarshme, zbres përsëri në tokë. Dhe kjo dashuri në tokë që s’më ngop, dhe e kërkoj në qiell dhe s’më ngop dhe zbres ta gjej atë në tokë përsëri, është vetë natyra e njeriut që kërkon e s’ngopet. Ja ky është konceptimi i pjesës së dytë të Kamadevës.
Unë besoj në dashurinë. Më shumë më ka tronditur në jetë dashuria, më shumë më ka gëzuar dashuria. Dhe një poet pa femër pranë nuk rron dot, e sidomos nuk krijon dot.

MBI NDIKIMET
Do të marr një shprehje të Dantonit, se s’kam frikë se mos më thonë plagjiat. “Poeti s’pyet se ç’merr dhe se nga e merr. Shikon ç’bën. Bën vepër arti”, atëherë mirë! Ajo që bëri u bë e tija. Ashti si ti arkitekt, a pyet nga i merr tullat, llaçin dhe betonin? Jo. Ti shikon se çdo të bësh me ato tulla, laç dhe beton. Shikon të bësh një pallat të bukur. Tullat, llaçi dhe betoni vdesin brenda. Ashtu vdesin dhe temat, fjalët, shprehjet dhe idetë e marra nga poeti, kur ai arrin të bëjë një vepër arti. Ato bëhen të tijat, mbajnë damkën e tij. Mos janë anglezët personazhet e Shekspirit? Jo. Janë danezë, italianë, arabë. Po mos e ka penguar gjë kjo që të jetë dramaturgu më i madh anglez?

AUTONOMIA E VEPRËS
Gjer më sot shumë veta kanë shkruar kundër meje, por asnjëherë s’jam përgjigjur, se poeti s’përgjigjet. Poeti bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka çka thotë.

MBI PËRKTHIMIN
Përkthimi bën kulturën. Përkthimet me durim që bënë murgjit nëpër manastiret nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, sollën kulturën e lashtësisë dhe ishin këto përkthime që përgatitën rilindjen italiane.
Shtatëqind vjet me radhë Greqia nxori filozofë, e ja, tërë këtë kulturë ata murgjit e përvojtur, të mbyllur nëpër manastire na i dhanë gati të përkthyer. Ata na e dhanë këtë kulturë.

MBI PËRKTHYESIN
Përkthyesi, gjë të parë duhet të ketë kulturën, kulturën e madhe. Ai që përkthen duhet të dijë gjuhën shqipe, sidomos kur përkthen poezi. Edhe gjuhën e huaj duhet ta dish mirë, por duhet të dish gjuhën tënde njëherë. Se s’mund ta japësh atë bukuri të gjuhës së huaj në gjuhën tënde, kur nuk zotëron mirë gjuhën tënde.
Përkthimi i poezisë, sikundër thashë, do kulturë, kulturë shqiptare. Dhe kultura duhet edhe kur të bësh vargun, kur të bësh poezinë. Ato fjalë që di të thuash, duhet t’i zgjedhësh. E, kur njeh mirë shqipen, atëherë vargu del jo shqip, por shqipërisht. Kur zotëron gjuhën tënde edhe poezia e përkthyer del e madhërishme.

PËRKTHIMI I POEZISË
Përkthimi i poezisë është i vështirë, se vetë poezia është e vështirë. Edhe më e vështirë është ajo në përkthim. Në origjinal e bën vargun vetë, si do ti, kurse ai i huaji nuk të lë, do të vesh sipas stilit të tij...
Dhe një njeri që e njeh poezinë, për shembull, do ta kuptojë: këtë e paska përkthyer Lasgushi.
Të përkthesh një poezi në një gjatësi vargu tjetër është njëlloj sikur të përkthesh Evgjen Onjeginin, që është nëntërrokësh, në tetërrokësh. Kjo do të thotë t’i ndërrosh tonin poezisë, t’i japësh tjetër ton. Po, ç’e bën muzikën, notat? Jo! Po i ndërrove këtë ton, e ndërrove poezinë.
S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, po ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezinë. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja, që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj?
Ku pyet poeti! Dhe ca më pak shqiptar! Se shqipja ka mundësia të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paroksitone, proparoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhëve të botës dhe mund të krahasohet me gjermanishten. Prandaj, s’ka faj gjuha, po ku është poeti?
Përkthime bëj, se tërë poetët kanë bërë përkthime. Edhe Gëte ka përkthyer, po më përpara duhet të bësh poezi origjinale, të tuat, se po të mos kesh bërë poezi origjinale, s’ke gjë në torbë.

MBI GJUHËN
Gjuha shpreh shpirtin dhe kulturën e një populli. Prandaj edhe fjalë të njëllojta kanë kuptime jo të barabarta, ekuivalente nga njëra gjuhë te tjetra, sepse shprehin shpirtra dhe kultura të ndryshme. Kështu fjala “Bukë” ka një kuptim më të gjerë, më të thellë, më jetësor në shqip se sa në ndonjë gjuhë tjetër.
Ne themi: haj të hamë bukë ose ke ngrënë bukë? Ose më hahet bukë!
Popuj të tjerë mund të thonë: haj të hamë, ose më hahet, kam uri. Për një popull tjetër buka nuk është gjithë ushqimi, është një pjesë e ushqimit. Për shqiptarin, gjithmonë të varfër, buka shpreh tërë ekzistencën e vet.
Po kështu fjala “Madamme” në frëngjisht shpreh një kulturë e një respekt tjetër nga ç’shpreh fjala “Zonjë” në shqip. Dhe kështu mund të vazhdojmë për shumë fjalë.
Kjo specifikë e veçantë e gjuhëve e bën të vështirë përkthimin dhe prandaj përkthyesi duhet të ketë kulturë shumë të gjerë që ta zotërojë nga të gjitha anët këtë specifikë të gjuhëve që përkthen.
Dhe kur përkthen, të gjejë fjalën, shprehjen e përshtatshme, që i përket vendit, ku përdoret e përse përdoret ajo fjalë apo ajo shprehje.

No comments: