ESEJA

Nga frëngjishtja essai = tentim, sprovë
Eseja është një shkrim i shkurtë në prozë ku shprehen qëndrimet dhe botëshikimet personale për ndonjë çështje nga jeta, morali, shkenca, arti, politika etj.
Sipas rregullit, autorët e esesë nuk përdorin metoda shkencore apo fakte logjike, por thirren në përvojën personale apo shoqërore.
Me ndihmën e shprehjeve retorike apo poetike ia servojnë lexuesit botëkuptimet personale.
Eseja konsiderohet si një gërshetim i letërsisë, shkencës dhe gazetarisë.
Sipas Sabri Hamitit eseja është formë shkrimi e patrajtë që njeh më parë impulset e krijimit se sa kufijtë e konventës dhe është forma më e përshtatshme për shpirtin krijues dhe kërkues, ku shkrepin idetë e pastra pa u lodhur të gjenden të gjithë argumentimet.
Në të shumtën e rasteve eseja shtron çështje pa pretendimin që t’i zgjidh ato. Shtron pyetje, por jo gjithnjë jep përgjigje.
Askund si në ese nuk shfaqet më mirë temperamenti dhe karakteri i krijuesit.


HISTORIA E ESESË

Mishel de Montenji (Michel de Montaigne) ishte i pari që e përdori këtë term, në vitin 1580.
Esetë e tij ishin meditime të lira mbi qenien njerëzore dhe për përvojën e tij jetësore.
Formën e esesë e gjejmë te Sokrati, Platoni, Theofrasti, Ciceroni etj.
Ndërmjet shekujve 16 dhe 17-të shquhet Frensis Bekoni, me esetë e tij mbi martesën, të vërtetën etj. Ai e quante esenë si “figuracion që jep më shumë oreks se sa ngopje”.
Më 1660 anglezi Abraham Cowley vazhdon traditën e esesë së tipit personal dhe refleksiv. Trajton tema sikurse janë: liria, vetmia, koprracia etj.
Eseja morri një pamje më moderne te autorët sikurse janë: Xhon Miltoni (1608-74), John Drydeni (1631-1700), Dr. Samuel Xhonsoni (1709-1784).
Në Gjermani lulëzoi me Shilerin (1759-1805), vëllezërit Shlegel, kurse më vonë u preferua edhe nga Hajnrih Hajne.
Në shekullin e 19-të dallojmë esetë e Saint-Beuve-it, Brander-it, Lemaitre-it etj.
Në shekullin 20-të shfaqen emra të rinj sikurse janë: E.M. Forsteri, Virgjinia Vulf, T.S. Elioti, Xhorxh Orvelli, Stefan Cvajgu, Andre Zhidi etj.
Në Europë eseja u përdor nga eseistët kryesisht për diskutim idesh dhe për qëllime politike.
Edhe sot eseja vazhdon që të mbetet një ndër llojet e preferuara për kritikët letrarë, shkrimtarët dhe publicistët.
Është forma më e lirë krijuese dhe lloji më i vështirë për t’u kanonizuar.


KLASIFIKIMI I ESESË
1. Në aspektin tipologjik kemi dy lloj eseshë:
a) Ese formale – ku nuk dominon elementi subjektiv i eseistit (autorit)
b) Ese joformale – që mund të quhet edhe personale, ku autori krijon më shumë intimitet me lexuesit e tij.

2. Sipas qëndrimit personal të autorit ndaj temës kemi:
a) Ese analitike – kur autori bën një interpretim logjik të temës që ka zgjedhur
b) Ese krijuese – kur autori mbështetet në përvojën e tij personale për të trajtuar një çështje. Imagjinata e autorit del në plan të parë.

BRANKO MERXHANI

Njeri pa biografi. Publicist dhe idealist. Lindi në Turqi në vitin 1894. Në Izmir kreu kolegjin dhe më pas studimet e larta në Gjermani ose Austri.
Thuhet se u shkollua në Lindje dhe u brumos nëpërmjet dijes oksidentale (perëndimore).
U angazhua për një shoqëri aksidentale, të bazuar në demokraci dhe në shtetin e së drejtës.
Lëvizja mendore “Neoshqiptarizma”, e ideuar nga Vangjel Koça, synonte orientimin e Shqipërisë drejt Evropës.
Erdhi në Shqipëri në fund të viteve 20 dhe u bë i njohur nëpërmjet shkrimeve që i kishte botuar në Demokratia, Neoshqiptarizma, Përpjekja Shqiptare, Minerva dhe Ilyria. Ndikimin më të madh në kulturën shqiptare e ushtroi nëpërmjet revistës Përpjekja Shqiptare (36-39), ndër më cilësoret në historinë e shtypit shqiptar, e cila ishte themeluar dhe drejtuar prej tij.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia largohet në Turqi, ku ndërron jetë në vitin 1981.
Vepra e tij, e mbetur gjatë kohë në harresë, është botuar e përmbledhur në botimin Formula të Neoshqiptarizmës, në vitin 1996, përzgjedhur dhe shoqëruar me parathënie nga dr. A. Plasari.
Një nga shkrimet e tij më të njohura është “Pse nuk jam marksist”, që është shkaku kryesor i letimit (ekskomunikimit) të tij nga diktatura komuniste.
Branko Merxhani mendonte se shqiptarët duhej që të ngriheshin mbi fantazitë e së shkuarës, kurse jeta politike nuk duhej që të përcaktohej nëpërmjet romantizmit dhe fantazive, por nëpërmjet shkencës. Sipas tij shkaqet e thella të anarkisë shoqërore duhej të ndriçoheshin nëpërmjet fenerit të shkencës së sociologjisë.
Për të shkenca ishte e e vërteta, kurse një popull që njeh të vërtetën arrin që të sigurojë jetëgjatësinë e vet.
Sipas Merxhanit jetë do të thoshte të mundje rrezikun, por për ta mundur duhet njohur.
Ashtu sikurse Fridrih Niçe bëri thirrje për organizimin e kaosit brenda vetes.
Një popull që e organizon kaosin brenda vetes ai arrin që të dëshmohet.
Si një sociolog besonte se shoqëria u nënshtrohet ca rregullave të caktuara dhe harmonike, të cilat duhej njohur me qëllim që të mos mbizotëronte kaosi.
Një nga utopitë e tij ishte edhe shërimi moral i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, sepse lodhja morale për të ishte fillimi i dekompozimit të një populli dhe të një shoqërie.
Branko Merxhani shkaqet e mjerimit shqiptar nuk i kërkoi jashtë shqiptarit, por brenda tij.
Robëria nën zgjedhën turke, sipas Merxhanit, nuk ishte vetëm për fajin e atij që mban dikë të robëruar, por edhe për fajin e atij që rri nën robëri. “E para është ngadhënjim, e dyta servilitet”.
Ai bëri thirrje që të mos paralajmërohej humbja, shkatërrimi, fataliteti, paniku, dëshpërimi, por të ngjallej brenda shqiptarit ndjenja e vetëmohimit për një jetë të përbashkët.
Pra ai angazhohej që shoqëria të kishte idealet e saj, sepse që një shoqëri të zhvillohet duhet që të ketë idealet e saj, pa të cilat shkon drejt dekompozimit.
Mbi të gjitha, ai u angazhua për krijimin e një inteligjencie të mirëfilltë shqiptare, me dije dhe kulturë... “Vetëm kështu do të ngrihet një jetë e re mbi gërmadhat e së shkuarës”.
Shqipëria, sipas tij, do të bëhej vetëm po qe se në shpirtin e kombit do të krijoheshin ideale shoqërore, vlera kombëtare dhe entuziazëm patriotik.
“Një Atdhe pa ideal e pa dije kurdoherë është i ekspozuar në rrezik”.
Këtë ngritje morale e shpirtërore ai e shihte nëpërmjet dijes, shkencës, artit, kulturës.
“Kultura është krijesa e lëvizjes së lirë të ideve. Fitimi që u realizua me pallë është më i paktë. Lufta e vërtetë është lufta për iderat”.
NEOSHQIPTARIZMA e Branko Merxhanit nënkupton njohje të realitetit dhe nevojën për ndryshimin e tij. Edhe pse ka jetuar pak në realitetin shqiptar ai e njeh më mirë, sepse, sikurse thotë Mark Marku, ai është i pakushtëzuar nga ai.
Shoqërinë shqiptare të asaj kohe, e cila ishte gjysmë primitive, ai dëshiron që ta modernizojë.
Në shkrimet e tij ai flet për probleme ekonomike, politike, probleme që lidhen me sistemin juridik dhe administrativ, për rolin e intelektualëve, sistemin arsimor, problemet shoqërore etj.
Merxhani besonte në fuqinë e ideve për ndryshimin e shoqërisë. Jo te riformulimi i ideve të vjetra, por te krijimi i ideve të reja.
Për Merxhanin shteti përbën përmbledhjen e personalitetit moral, shkencor, artistik, fetar dhe juridik të një turme njerëzore, teksa individi nuk është veçse një “krijesë me instikt”. “Dhe vetëm shtrëngimi dhe violenca e ndërgjegjes shoqërore këtë krijesë e transformon në një personalitet shoqëror… Për Neo-Shqiptarismën, Shtet do të thotë vullnet i shoqërisë”.
Për Merxhanin shpirti i Neoshqiptarizmës është idealizma shoqërore.
“Mirërojtjen e tij njeriu ia detyron jetës shoqërore. Dhe kombet ekzistojnë vetëm ahere kur mundin të krijojnë një ndërgjegje shoqërore. Jashtë kësaj vije njeriu është veç se një krijesë, dhe Kombet janë vetëm turma barbare”.
Për Merxhanin liria e mendimit individual është e pakufishme. Po, si elemente shoqërore, duhet të orientohemi me nevojat e jetës shoqërore.
“Si njerëz të mendimit të lirë, mundet të mos besojmë një gjë. Po, si elemente shoqërore, si elemente të përparimit dhe të rregullit, ai nga ne që do t’i mësojë vendit tonë, p.sh., ATHEISMËN, duhet të quhet kriminel përkundrejt nevojës shoqërore”.

ANTON HARAPI (1888-1946)

At Anton Harapi lindi në 5 janar 1881 në Shirokë.
Shkollën e mesme e kreu në Kolegjin Saverian (Shkodër).
Teologjinë dhe filozofinë i studioi në disa universitete të Austrisë.
Shumë vite dha leksione në liceun “Illyricum” në Shkodër.
Shërbeu në Famullinë e Malësisë së Madhe, ku njohu shpirtin e malësorëve dhe mendësinë e tyre.
Është quajtur mendje analitike dhe inteligjente.
Bashkëpunoi me revistat e kohës: Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout etj.
Botoi disa vepra: Urti e burrni ndër banorë të Cemit, Andrra e Pretashit (roman), Valë mbi valë (roman), Vlerë shpirtnore (seri konferencash eseistike), Kontribut për trajtimin shpirtnor të shqiptarit (ese) etj.
U ekzekutua në muajin shkurt të vitit 1946 nga regjimi komunist, nën akuzën se kishte bashkëpunuar me fashistët.
Ishte i ndikuar nga mendimtari kristian Shën Agostini.
Konsideronte se shoqëria shqiptare duhej të synonte vetëm të vërtetën.
Një studiues thotë se ashtu sikurse Hamleti i vë përpara pasqyrën mbretëreshës, poashtu edhe ai e vë para vetes bashkëbiseduesin:
“Mos luej vendit/... s’të lë pa vënë një pasqyrë syve/
Ku të shikosh të zit e zemrës sate”. (Shekspiri)
Motoja e tij jetësore ishte: Zot, Komb, Atdhe, Familje.
Ai konsideronte se asnjë shoqëri nuk mund që të zhvillohej pa faktorin shpirtëror, kurse idetë e reja ishin forcë.
“Ashtu sikurse ideja është forcë në jetën ideare, po ashtu mungesa e idesë është ligështi dhe vdekje, prandaj po deshëm të ripërtërijmë popullin tonë duhet t’ia shëndoshim shpirtin me ide të pëlleshme, me të cilat do t’i japim energji të reja”.
Angazhohej që te shqiptari të ngjallej ndjenja për një jetë të përbashkët dhe krijimi i ndërgjegjes shoqërore.
Si njohës i etnopsikologjisë shqiptare, Harapi e ka tipizuar shqiptarin si një “Ego Concentricum”, “që nuk është gjë tjetër përveç se egoizmi në kulmin e vet”. Edhe Konica e kishte vërejtur këtë individualitet të theksuar të shqiptarëve, që ishte një ndër shkaqet kryesore që nuk e krijuan me kohë shtetin e tyre.
“Shqiptari në atë masë që të dalë prej individualitetit ka t’i afrohet kulturës e qytetërimit…jo ta shuajmë personalitetin e shqiptarit, por ta vëmë në binarë të duhur egoizmin e natyrshëm e mos ta lëmë të kapërcejë caqet e arsyes”, thoshte Harapi.
Si një “ego concentricum” shqiptari është mangut për sa i përket edukatës së përbashkët. Ai ka rënë në një pesimizëm dhe çdo iniciativë a vepër të përbashkët e konsideron qesharake e të pa rezultat. Harapi konsideron se shqiptari ik nga detyrat kolektive, i ik “bashkëpunimit për të mirën e përgjithshme”. Ka mungesë ideali. “Përtej derës së oborrit nuk e sheh rrezikun, as armikun”.
Përveç kësaj ai e shihte si rrezik për kombin edhe përçarjen ndërmjet shqiptarëve. Një popull i përçarë, sipas tij, ishte një popull i humbur.
Në vend të një besimi pasionant ai kërkonte një besim të arsyeshëm. “Të rrojmë shoqnisht e vllaznisht... kurrgjë nuk na bashkon ma fort se Zoti”.
Për Anton Harapin problemet e jetës njerëzore nuk zhvillohen dhe zgjidhen vetëm me formula e teori, por edhe me mirësi dhe drejtësi – me vlera të njëmendta shpirtërore.
Në vitin e largët 1932, Anton Harapi e botoi një shkrim të gjatë me titullin “Rrymët e jetës shqyptare” ku jepte formulën monumentale në mbrojtjen dhe përmirësimin e të mirave ideale dhe materiale të shqiptarëve.

Për sa i përket sferës ideale Anton Harapi kërkonte:
- edukim të ndjesive të shqiptarit ndaj Zotit dhe Atdheut;
- rruajtjen e besës e burrnisë, që janë ndera shqiptare;
- ngjalljen në shpirt të idealit dhe nevojës për një jetë të përbashkët shtetërore;
- zhvillimin e mendjes, duke i dhënë shqiptarit kuptim të qartë për jetë e gjallërim;
- lartësim në konceptin e punës, të grues dhe të familjes;
- luftë ndaj çdo demoralizimi dhe korrupsioni;
- njohjen e thellë (“deri në palcë”) të shpirtit dhe karakteristikave të shqiptarit.
Ndërkaq, për sa i përket sferës materiale, si më të domosdoshme, ai i veçonte:
- përmirësimin ekonomik dhe financiar;
- përmirësimin e shëndetit të banorëve;
- përmirësimin e kushteve të banimit, të veshjes, kujdesin për ta mbajtur larg sëmundjes, sidomos sëmundjeve gjinore dhe lehtësi e shkase të reja pune.

Anton Harapi është themeluesi i Ideologjisë Shqiptare që parasheh:
- krijimin e zotësisë mendore dhe fuqisë morale te shqiptarët, të cilët nuk duhej të merreshin me fitimet e ulëta të kulturës materiale;
- të çmoheshin parimet e kulturës botërore, si të vetmet vlera njerëzore, mbi të cilat do të ngrihej kultura shqiptare (antiksenofobizmi);
- të çmoheshin faktorët e vlerës shqiptare dhe të ngjallej ndjenja e sakrificës për të;
- të çmoheshin besa, burrnia, urtia, fisnikëria, dashuria, mirësia, e vërteta, e drejta;
- të respektoheshin të gjithë vlerat njerëzore, jeta kulturore, Shqipëria shpirtërore, të cilat do të ishin gjëra të kota pa lirinë e mendimit dhe fjalës, ndërgjegjes civile, fetare dhe shoqërore;
- Shqipëria shpirtërore të bëhej me punë dhe jo me fjalë;

Anton Harapi është një nga ideatorët e Institutit shqyptar për studimet dhe artet (paraprijëses së Akademisë së Arteve dhe Shkencave).
Ky institucion, sipas tij, do të bënte:
- lëvrimin e mendjes, vullnetit dhe ndjesive në lëminë e të vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës;
- do të ishte jo institut nderi as oportuniteti;
- aty do të peshoheshin dhe vlerësoheshin fuqitë dhe veprat e dijes dhe artit shqiptar;
- të gjithë të zotët do të inkuadroheshin në punë dhe do të shfrytëzoheshin maksimalisht me qëllim që vepra të dilte sa më e plotë dhe të arrihej qëllimi sa më mirë.

Për sa i takon misionit të shkollave shqipe, Anton Harapi konsideronte se:
- duhej të nxisnin në shpirtin e nxënësve drojën ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj atdheut;
- të krijonin njerëz me karakter që jo vetëm do të ishin zot të punës, por punën ta kishin për zemër,
- të krijonin shqiptarë të virtytshëm;
- të krijonin të ditur me qartësi mendjeje dhe të matur (“Burri kurrë nuk ngutet/ prej urtisë dhe jo prej tutës)
Sipas tij shkollat duhej që të kishin shkallë të lartë disipline e përgjegjësie dhe të kishin program veprimi.
“Për të bërë punë të mëdha duhet bërë program veprimi dhe t’i përkushtohet atij” .
Ai i konsideronte studentët si forca që do ta shpëtonte atdheun nga kriza mendore, si e ardhmja që do të modernizonte dhe do të qytetëronte atdheun. Jo vetëm diploma, por specialistë me famë botërore. Studentët të kishin jo dije vetëm për vete, por për atdheun dhe kombin.
Mbi të gjitha ai thoshte: “Shkollat tona do të jenë shkolla shqiptare”.
Një rol vendimtar në jetën e një kombi, sipas Harapit, kishte gruaja. Trajtimi i mirë i gruas ishte rimëkëmbje e familjes shqiptare. Gruaja ishte shëruesja e shpirtit të familjes. Gruaja e shkolluar ishte e ardhmja e siguruar.
“Familja është themeli e arma e popullit, e kombit e shtetit”, por njëkohësisht ai e vëren se “familjes shqiptare i mungon trajta e pikëpamja poetike”. Edhe sot e kësaj dite familja shqiptare ka mjaft hendikepe, që pamundëson riparimin e defekteve që shfaqen në një familje më të madhe siç është populli a kombi. E shtyllë e familjes është gruaja, e cila sot e kësaj dite konsiderohet “vetëm për punë shtëpie”.
Harapi e vlerësonte shpirtin e sakrificës. Nuk pranoi që të ikte nga Shqipëria. E priti dënimin me shumë gjakftohtësi. Ishte martiri (fatosi) i radhës për të vërtetën, të mirën, të drejtën, të bukurën... Sepse ai besonte se martirët bëjnë vdekje të trishtuar për të mirën, të drejtën dhe të vërtetën.
“Nuk mjafton zotësia, as dituria, duhet edhe vuajtja”.
Para se ta vrisnin At Anton Harapin, ai kishte ngritur duart nga qielli, ishte drejtuar Zoti dhe zemërvrarë kishte thënë: “O Zot, edhe çfarë duhet të bëj që të jem shqiptar”.
E vranë ata që vrisnin në emër të Atdheut dhe Shqiptarisë! Ata që mendonin se e kishin vrarë edhe Zotin… E vranë njeriun që armë të vetme kishte lutjet...

FAIK KONICA - ENCIKLOPEDIA SHËTITËSE

Konica, “model i krijuesit kritik” në “kohën e lavdit dhe mitit”

Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare, në kohën kur shqiptarët nuk e tejkalonin kënaqësinë e ëndrrës që e kishin krijuar romantikët përmes “letërsisë së adhurimit, të mitizimit e të pëlqimit”.
Konica “krijuesi i dialogut me kohën, i pakënaqur dhe tekanjoz”, siç do ta quante Sabri Hamiti, e kishte obsesion Naim Frashërin, ngase ishin dy modele të kundërta kulturore. Njëri e krijonte ëndrrën mahnitëse, ndërsa tjetri e prishte dhe ftonte për një ballafaqim me vështirësitë e jetës. Madje sikur nuk i mjaftonte kjo dhe ua nënçmonte edhe bardin kombëtar, Naimin, duke e lavdëruar si atdhetar, por si shkronjëtor, s’qe gjë. Madje edhe më shumë se kaq: e akuzoi për mungesë virtyti, për incest.
Si njeri i shkolluar në Francë, që kishte jetuar në ambientet artistike të Parisit dhe Londrës, që kishte njohur aristokracinë evropiane dhe artistët e saj, që njihte mjaft modele letrare, që e dinte se atdhedashuria dhe letërsia ishin dy gjëra të ndryshme, ai nuk mund të lavdëronte një atdhetar për punë tjera për të cilët nuk ish edhe aq i zoti. Konica e dinte se moralizimi dhe elementet didaktike e dëmtonin një vepër letrare. Konica nuk ishte iluminist, ai nuk kishte misionin e një romantiku që ta mësonte popullin e vet, jo, ai më shumë se kaq dëshironte të vinte binarët e një letërsie të re, e cila nuk do të vlerësohej sipas kritereve ideologjike (qoftë ajo edhe kombëtare), por sipas kritereve estetike. Si rëndom, në kësi rastesh, ndodh edhe keqkuptimi. Madje keqkuptimi mund të ndodh edhe sikur Konica të kishte jetuar sot.
Ndryshe nga romantikët që kishin krijuar mitin për shqiptarët si popull i zgjedhur, pa vese, Konica foli edhe për veset e tyre, i bindur se shqiptarët nuk do të mund të zhvilloheshin duke u mburrur, por duke qenë kritik ndaj vetvetes. Konica e kritikoi shqiptarin për mungesë ideali; që vritet për cikërrima e jo për ndonjë çështje.
Në “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, ku te Plugu mund të identifikojmë Konicën, ai do të ironizonte skajshmërisht. Në thelb kemi keqkuptimin e Plugut me turmën e pazhvilluar.
Plugu, njeri me kulturë, që e dinte se mësimi nuk ka fund dhe se “vetëm gjysmë-të-diturit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet”, dëshironte t’i kthente Zullutë nga një turmë e shkapërderdhur, që nuk kishte kuptim për thellësinë e jetës, në një komb të njëmendtë. Pra është një konflikt mes individit të zgjuar dhe kolektivitetit të mashtruar dhe të fjetur. Edhe Konica e kishte të qartë se që të bëhej një komb duhej të kishte një letërsi të mirëfilltë, një gjuhë të njësuar, ashtu siç e kishin kombet që e kishin krijuar identitetin e tyre kombëtar.
Si rëndom ata që kritikojnë edhe keqkuptohen më shumë, ngase dëshirojnë të sjellin një model të ri jetese, ndërkohë që modeli ekzistues, ndonëse me afat të skaduar, është vështirë për t’u flakur tej. Keqkuptimi, si rëndom ndodh përherë me figurat e mëdha që i japin një kahe tjetër zhvillimit sociokulturor të një populli.
Në veprën “Dr. Gjëlpëra…” kritika do të ishte edhe më e drejtpërdrejtë.
Një pyetje e Konicës edhe sot mbetet aktuale, por përgjigja mungon: si të bëhen shqiptarët?…
2. Faik Konica rizbuloi flamurin me shqipen e zezë dykrenore në një sfond të zi, për të cilin do të shkruante një eseun monumental. Ashtu siç dinte ai. Janë të papërsëritshme edhe esetë: “Flamuri”,“Malli i atdheut”, “Ca kujtime mbi at Gjeçovin”, “Prometheu i lidhur” etj.
“Jeta është pa gëzim, dhe librat i kam kënduar të gjitha”, me këtë varg të Stefan Mallarmesë e pat filluar esenë “Prometheu i lidhur”. Pastaj... një atmosferë mërzie. Teksa mendon se do të zhytet në dallgët e zhgënjimit dhe pesimizmit, gjendet një pikëmbështetje, një shpresë: “me një herë muzika e artit na zgjon zëmrën dhe na ngjallë përsëri mendjen”. Është libri “Prometheu i lidhur” i Eskilit “një libër dy mijë e katërqind vjetësh i vjetër nga mosha; por nga mendimet aq i ri sa duket sikur u shkrua dje, duket sikur përqesh me hidhërim, dhe stigmatizon për jetë ndonjë njeri të pasuruar nga lufta ose ndonjë salepçi mbret që rrëmben fuqinë në rrëmujë’ e sipër edhe, i dehur nga triumfi i papritur vërtit kërbaçin dhe kërkon gjah – se natyra e njeriut nuk ndërron. Dhe një poet i madh që zbulon të vërtetën e kohës së vet zbulon të vërtetën e gjithë kohërave të pastajme”.
Konica është një ndër polemizuesit më të shkathtë, njëkohësisht më nervozi. Njërin do ta quante xuxuboç, tjetrin zuzar, një tjetër pyzeveng. Por ai dinte të shkruante edhe ndryshe, me kokë më të ftohur. Në veprën e papërfunduar “Shqipëria, vend shkëmbor i Evropës Juglindore” do të mbështetej në argumente, në dokumentet ekzistuese, do të shpaloste dijet e tij enciklopedike për probleme të ndryshme sociokulturore e historike.
Edhe si shkrimtar ai është i veçantë. Se vepra e tij nuk është e papërfunduar dëshmojnë edhe prozat e tij poetike: “Bora”, “Në liqen”, “Anës liqenit” dhe “Dita e verës”. Të pakta për nga sasia, por aq të mëdha për nga vlera artistike…
3. Ai është i veçantë në çdo aspekt, si në jetë ashtu edhe në krijimtari.
Nuk e duronte dot Ismail Qemalin, kryetarin e përkohshëm të shtetit. Mbase edhe për inatin e tij, më 1913 e lë Vlorën dhe i bashkohet në Durrës forcave të Esad Pashë Toptanit, që ndonëse e urrente e ndihmoi të formonte qeverinë e ndarë shqiptare. Një gabim i rëndë që nuk iu fal kurrë. Dhe nuk ka si i falet.
Mbretin Zog herë e lavdëronte, herë e shante. A nuk ishte ky Faiku që faqe ndërron, që dje shante e sot lëvdon, siç do ta paraqiste Noli? Ndonëse ambasador i Zogut, ai nuk kthehej në atdhe nga frika e ndonjë komploti të mundshëm. Megjithatë, më shumë se sa ambasador i Zogut, ai ishte ambasador i vendit të tij.
Polemizoi edhe me Fan Nolin, por nuk e humbi respektin për aftësitë e këtij të fundit. Noli do ta quante veten nxënës të tij.
“Mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe”, thotë Noli, i cili me këshillat e Konicës kishte përkthyer disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Po dhe Don Kishotin e Servantesit.
Konica ishte mik me poetin e njohur francez, Gijom Apolinerin, që kritiku letrar Luan Starova, do ta quante një miqësi evropiane. Shkrimtari Zhyl lë Metrë do të thoshte për Konicën: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”. Ky shqiptar që e njohu aq mirë edhe gjuhën e vet:
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë përmbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”. Ja kjo është Lutja për shkrimtarët.
4. Faik Konica lindi më 15 mars 1876 në Konicë në gjirin e një familje fisnike. Një nga paraardhësit e tij ishte edhe Ali Pashë Tepelena. Në moshë të re ishte pjesë e kolegjit të jezuitëve në Shkodër. Njohja e frëngjishtes, anglishtes, latinishtes, greqishtes, por edhe njohja e artit dhe muzikës perëndimore, siç do të thoshte Sylvie Le Ray, “e bënë të ndërgjegjshëm të riun Konica mbi lidhjet e ngushta ndërmjet thesarit kulturor shqiptar dhe humanizmit evropian, lidhje e fanitur nga pesë shekuj pushtimi otoman”. Kishte kryer me sukses studimet në letërsi dhe filozofi në Universitetin shtetëror të Dizhonit. Shkollimin e mbaroi në Universitetin e Harvardit, kurse më 1912 u bë magjistër i artit dhe letërsisë.
Si 21 vjeçar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan.
Ishte kryeredaktor i revistës Dielli (1909). Në Sent Luis (1897) nxori të përkohshmen “Trumbeta e Krujës”, ndërkaq në Boston, së bashku me Nolin, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që mbronte pavarësinë e shtetin shqiptar, të sapoformuar. U zgjodh sekretar dhe kryeredaktor i Diellit, që u bë organ i saj.
Ishte delegat i “Vatrës” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për krijimin e shtetit shqiptar.
Në kohën e sundimit gjashtëmujor të Princ Vidit, nuk morri poste qeveritare, nuk bashkëpunonte me askënd dhe nuk i besonte askujt.
Më 1914 ishte Konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Uashington.
Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë.
Kritika e sotme letrare e ka cilësuar si model i krijuesit kritik, i cili nuk kishte se si të kalonte mirë në kohën e lavdit dhe mitit.
Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.
“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.
Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare.
Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova) nuk mund të bënin asgjë.
Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica.

LASGUSH PORADECI

QËLLIMI I ARTIT
Qëllimi i artit është që në japë gëzim estetik, por këtë gëzim e ndien ai që është i përgatitur për ta ndierë. Prandaj duhet kulturë e madhe.
Jeta është e shkurtër, po sa e shkurtër është po aq edhe e rëndë. Lindim me të qarë, rritemi duke qarë, humbin nënën, babanë, të afërmin, shokun, shoqërinë, humbim të dashurin, dashurinë, humbim rininë, jetën, shpresën...
Për të gjitha këto dhimbje njeriu kërkon një ngushëllim, një kënaqësi dhe këtë e gjen tek arti.
Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike, që qëndron mbi të gjithë këto mizerje të jetës.
Këndojmë një poezi, shikojmë një pikturë, dëgjojmë një simfoni dhe kënaqemi!
Jeta na ëmbëlsohet, na bëhet më e dashur, më e bukur. Por këtë nuk e bëjnë të tërë njerëzit, prandaj arti nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata shpirtra të lartë që e ndiejnë, të tjerë ndiejnë të tjera kënaqësi. Arti nuk është për ata. Ata nuk i shajmë, as nuk i përçmojmë se nuk ndiejnë apo nuk e duan artin. Nuk është faji i tyre se arti është për shpirtra të tjerë, të lartë, me të tjera kualitete.

E BUKURA NË ART DHE NË NATYRË
Arti është më i fortë se sa natyra, më i përsosur. Natyra nuk është e përsosur. Ka në natyrë ndonjë peizazh të përsosur? Jo! Piktori, artisti i madh e bën peizazhin më të përsosur se sa natyra. Moisiu (i Biblës) mund të ketë qenë një njeri me pamje dosido, me mjekër të ashpër a me qime të rralla, ndoshta edhe më i shkurtër, po ja ku vjen Mikelanxhelo dhe ta bën atë Moisi më atë mjekër aq të bukur, me atë ballë të lartë, tamam profet. Ja arti! E bëri më të përsosur se sa natyra.

MBI KRIJIMIN DHE POEZINË LIRIKE
Po artisti përse krijon? Që të na kënaqë neve? Përse këndon bilbili? Përse këndon bufi? Përse këndon qyqja? Po për vete këndojnë! S’këndojnë që të na kënaqin neve! Ku e di bilbili se jemi ne kur e mbush pyllin me këngën e tij? Ku e di bufi? Ai këndon Buuu!... Buuu!... Për kë këndon?Këndon për vete.
E njëjta gjë është edhe me poezinë lirike. Pse, mos e bëri Dantja poezinë e Beatriçes që të kënaqë Beatriçen? Beatriçja edhe në ka ekzistuar, as e ka lexuar, se të mos ketë ditur shkrim. Përkundrazi, Dantja e bëri atë poezi, që të shkarkonte potencialin e zemrës së vet, që të kënaqej vetë. Për vete e bëri, jo për ne dhe as për Beatriçen. Por ne e lexojmë dhe kënaqemi, ndiejmë shumë nga gjërat që ka ndierë edhe ai vetë... Ai na dha pra një kënaqësi estetike.
Ecco! Ky është arti.
Poeti e bën poezinë që të kënaqet më përpara vetë, pastaj ne marrim pjesë në gëzimin e tij. Dhe marrin pjesë shekujt e gëzohen!

PËR POETIN DHE FRYMËZIMIN
Se ç’janë poetët e tha Sokrati. Atë e pyetën: - Pa na thuaj, ç’janë këta poetë? Ç’gjë të veçantë kanë? Si janë kështu që shkruajnë kaq gjëra të bukura?
Dhe Sokrati tha: - Poetët janë si ne, si unë, si ti, si ai tjetri. Njerëz janë, hanë, pinë, dehen, zihen, grinden, por kur shkruajnë poezi, një perëndi e veçantë u qëndron pranë dhe ata ndryshojnë dhe shkruajnë siç i mëson ajo. Kur kjo perëndi largohet, ata bëhen prapë njerëz si ne, si unë, si ti, si ai tjetri: hanë, pinë, dehen dhe grinden, siç grindemi ne të dy.

MBI KULTURËN E POETIT
... Rrija mbyllur në dhomën time dhe studioja. Se po nuk studiove shumë, nuk bëhesh dot poet. Dhe poet të bëhesh o i madh, o hiç, se po s’qe i madh, je hiç në art. Arti, siç kemi thënë, ka vetëm një gradë, gradë të parë.

MBI POEZINË
Një poezi që të jetë e mirë, duhet të jetë e sinqertë. Po që të jetë poezia e sinqertë, duhet të jesh më parë ti i sinqertë gjer në fund të shpirtit tënd, ti që shkruan. Në poezi s’gënjen dot.
Poezia s’është shaka! S’është vetëm varg me rimë e ritëm! Poezia kërkon fuqi të madhe shpirtërore. Poezia duhet të jetë personalissime.
E tillë, që, si ti, të mos ketë mundur ta ketë bërë njeri gjer më sot dhe që, si ti, të mos mundë ta bëjë tjetër njeri sot e njëmijë vjet.
Që të bësh një varg të mirë duhet shumë, shumë kohë. Që të bësh disa poezi të bukura nuk mjafton një jetë.
Kur themi poezi, kemi thënë cilësi, jo sasi. Poezi mund të shkruash vetëm pak, po ta shkruash ama!
Poeti s’duhet të shkruajë shumë. Një vëllim me poezi të mira, domethënë me poezi shumë të mira, mjaft e ka. Të tërë poetët e mëdhenj kaq kanë. Një vëllim! Edhe kur shkruajnë më shumë, ato që mbeten mezi bëjnë një vëllim. Ja, Hajne, ka shkrojtur shumë. Ç‘i do? Hajne mbetet poet i madh se ka një vëllim me poezi shumë të mira. Kaq i mjafton.
Eminesku mbetet poeti më i madh i Rumanisë me nja shtatëmbëdhjetë poezi shumë të mira.
***
Poezinë o bëje, o mos e bëj!
... Arti ka misteret e veta, që as artisti vetë s’di t’i shpjegojë.
Arti ka misteret, por ka edhe ligjet e veta. Edhe poezia ka misteret dhe ligjet e saj, dhe vetëm njërit prej këtyre ligjeve sikur të mos i përshtatet, poezia del e çalë.
Para së gjithash duhet një përmbajtje e fortë. Pra, duhet jo fabula, por një përmbajtje sa e lartë, aq dhe e thellë dhe e fortë.
Kjo përbën bazën për fillimin e një poezie, d.m.th. një dashuri e ndjerë thellë, një dashuri për atdhe, për liri etj.
Kushti i dytë është ky: Kësaj përmbajtjeje të dish t’i japësh një formë të përsosur. Pa këtë formë të përsosur artistike, sado e lartë dhe e thellë dhe e fortë të jetë ndjenja, rezultati është zero. Sepse Art do të thotë Formë.
Po të mos ketë një formë të përsosur që në kompozimin e përgjithshëm deri në çdo varg e çdo fjalë, poezia s’del mirë.
Parnasianët kishin poezi të përsosura nga forma, por vetëm kaq.
Formë vetëm formë. Një nga këta ishte Syli Prydom (Sylly Prudhomme). Ai ishte i pari që mori çmimin Nobel. Po sot ku është? Kush pyet për poezinë e tij që është vetëm formë?
Po poezia ime vetëm formë është? Ajo ka formën që ka imponuar përmbajtja. Forma duhet të jetë doemos e përsosur që poezia të mos ngordhë.
Për këtë duhet luftë. Luftë titanike, me formën e jashtme! Pa këtë formë të jashtme të përsosur, poezia jo që s’rron, po as nuk vdes dot, se ngordh.
Kushti i tretë është ky: Kjo përmbajtje dhe formë që ke gjetur duhet të jepen nëpërmjet një stili të ri, origjinal, të panjohur më përpara. Dhe ky stil jep individualitetin e artistit.
Ato poezi që s’kanë këto kualitete, shkruhen kot, se s’rrojnë, vdesin, s’kalojnë dot shekujt. Poezia duhet t’i ngjallë të njëjtat emocione, si lexuesit të sotëm ashtu dhe atij që do të vijë pas njëmijë vjet.
Një poezi që s’është e këtij kalibri jo vdes, po zhduket! Poezitë e Fan Nolit: “Rent, o Marathonomak” ose “Moisiu në mal”, i kanë cilësitë që përmendëm.
Një kusht tjetër është shkurtësia.
Një poezi duhet të jetë jo shumë e gjatë. Një poezi duhet të jetë jo vetëm e bukur, por aq e gjatë sa të mos e mërzitë lexuesin. “Iliada” është vepra më e mirë poetike, po kush e merr ta lexojë? Po cili poet e lexon? E lexojnë tepër pak, pse? Se është e gjatë. Prandaj poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave në minimumin e fjalëve...
E vetmja gjë që mbetet është poezia. Dhe nga kjo mbetet poezia e shkurtër, vetëm kjo kalon shekujt.
Nga proza s’mbetet gjë. Edhe kur mbeten, mbeten ato të shkurtrat. Shkroi Gëtja romanin “Jeta e Vilhelm Majsterit”, po kush pyet? Nga Gëte mbetën vetëm ato poezitë e bukura dhe të shkurtra.
Sa poezi ka Fan Noli? S’ka as dhjetë. Kjo s’e ka penguar të jetë një nga poetët tanë më të fuqishëm.
Poezia është divine (yjnore). Prandaj kur shkruan poezi, duhet të kesh shpirtin e shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?
Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi.
Poezi s’do të thotë shumë vëllime. Poezi do të thotë: një vëllim!
Një vëllim me poezi shumë të mirë, kaq!
Poezinë e bën gjithashtu toni. Toni bën muzikën.
Rimën ne nuk e vëmë për formë, por e vëmë se potencializon vargun dhe, që të bëhet e tillë, duhet të jetë në harmoni me zhvillimin e brendshëm spiritual të vargut.
Unë them se cilësi e parë e poezisë është qartësia, të kuptuarit lehtë të saj. Simbolizmi, përkundër, ka poezi të errët, të pakuptueshme. Cila nga poezitë e mia s’është e qartë? Cila nga poezitë e mia është e errët? Cila nga poezitë e mia është e pakuptueshme? Asnjë!
Arti ka vetëm një kualitet: Kualitetin e Lartë, ai është Absolut, Monark, Perandor, Autokrat, Diktator...
***
Fjalët në fjalor janë banale: bukë, ujë dru... etj, s’thonë më shumë nga ato që thonë. Poeti përkundër, fjalët duhet t’i zgjedhë dhe t’i verë në atë formë që shprehin më shumë.
Një fjalë false e prish poezinë. Ti ndjenjën mund ta kesh të thellë sa të duash, të pastër sa të duash, të sinqertë sa të duash, po duhet ta shprehësh me fjalë dhe, kur kjo fjalë tingëllon false, domethënë nuk është aq e butë sa duhet, aq e ëmbël, aq e thellë, aq e fortë sa duhet, poezia del e dobët.
Ajo ndjenja jote e sinqertë, e thellë, e pastër, e ndierë, doli false.
Duhet të gjejmë e të vëmë tamam atë fjalë që duhet. Por për këtë duhet punë.




KRIJIMI I POEZISË
Krijimi i poezive është një metafizikë e tërë e pashpjegueshme dhe vargu del në mënyrë të natyrshme si pasojë e harmonisë që duhet të ketë me vrullet e brendshme shpirtërore.
Poezia është quint esenca e prodhimit më të lartë intelektual të njeriut. Doktorata mund të marrin të tërë, se ajo kërkon vetëm punë sistematike dhe ai që e do, e bën. Por poezinë s’e bën dot kushdo.

POETI DHE ATDHEU
Shqipëria lindi së pari në mendjen e poetëve, pastaj ata e kënduan në veprat e tyre. Këto vepra në poezi i lexuan patriotët e shkolluar dhe më vonë këta patriotë e përhapën në masën e popullit. Pra, Shqipëria më pas u krijua edhe në shpirtin dhe mendjen e popullit, e kur e patën në mendjen dhe shpirtin e tyre, u ngritën shqiptarët për ta bërë realitet. Luftuan në Jug e në Veri kundër turqve otomanë gjer në 1912, kur Ismail Qemali e shpalli Shqipërinë, Shqipëri. Gjërat krijohen më parë në shpirt e në mendje, pastaj punohet për t’i bërë ato konkrete. Në Bibël thuhet: E para ishte fjala, pastaj u krijua bota.
Po s’u krijua më parë në shpirt liria, njeriu nuk lufton për të qenë i lirë. E këtë e bëmë të parët ne, Poetët.

POEZIA – LIBËR FORMIMI
Përpara të gjithave është poezia. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër me një roman është libër bashkëbisedimi, ndërsa një libër me poezi është libër formimi.
Me vargjet e Marsejezës në gojë:
Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë
Bashkoi burra se s’ka me prit
Janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Po më thuaj me ç’roman ka ngjarë kjo? Me asnjë. Poezia ka mundësi shprehëse më të mëdha nga ç’ka muzika. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë. Jo të lartë, po shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vemë shpirtit të kombit themele të shëndosha.
MBI HOMERIN DHE SHKOLLAT LETRARE
Homeri është i madh, poet i madh, se na përshkruan njeriun, të përbrendshmen e tij e cila është eternale. Ati na përshkruan natyrën me saktësi e vërtetësi, po me vërtetësi poetike. A mos duhet ta quajmë Homerin sentimentalist, dekadent, se na thotë që ky Odise, ky hero legjendar na qau për qenin besnik. Kështu poeti na e dha në art një realitet të idealizuar.
Po ç’ishte Homeri? Romantik? Realist? Surealist? Homeri ishte poet dhe bënte poezi.
Më kot mundohen nëpër shkolla të mësojnë se si bëhet poezi. Atje mësojnë vetëm ca rregulla të thata. Po se si duhet bërë poezia e gjen vetë poeti, po të jetë poet. Se s’e ka thënë më kot latini: “Poeta nascitur. Orator fit!”(Poeti lind. Oratori bëhet).
Leonardo e mësoi artin në studion e Verrokios. Unë e mësova në atelierin e Lasgushit. Punishtja ime ishte zemra ime.

MBI POEZINË POPULLORE
Asnjë poezi popullore, e çdo populli qoftë, nuk është e përsosur. Gjenden kur e kur vargje ose strofa të përsosura, por asnjëherë s’gjen poezi të tërën të përsosur.
Poezia popullore kështu është, po asnjë poet s’mund të krijojë pa studiuar poezinë popullore, të paktën të vendit të vet. Bërnsi ka marrë nga poezia popullore jo fjalë, jo vargje po strofa të tëra dhe i ka shkrirë në poezinë e vet.
Nga poezia jonë popullore më të mira janë “kënga e Gjergj Elez Alisë” dhe një variant i këngës së “Dhosi Zado Korçarit” botuar nga Thimi Mitko.

MBI DASHURINË DHE FEMRËN
Unë së dashurës i këndoj bukurinë shpirtërore, po edhe bukurinë trupore; ta prek, ta puth, ta përqafoj, se jam njeri, jo engjëll! Kjo është jeta. Kjo është natyra. Natyra s’është as amorale, as morale, as imorale. Është natyrë, pra e shenjtë.
Prandaj mua s’më ngop asjo dashuri qiellore, jashtëtokësore, dhe prapë duke kaluar hapësirat e pafundme me shpejtësia të llahtarshme, zbres përsëri në tokë. Dhe kjo dashuri në tokë që s’më ngop, dhe e kërkoj në qiell dhe s’më ngop dhe zbres ta gjej atë në tokë përsëri, është vetë natyra e njeriut që kërkon e s’ngopet. Ja ky është konceptimi i pjesës së dytë të Kamadevës.
Unë besoj në dashurinë. Më shumë më ka tronditur në jetë dashuria, më shumë më ka gëzuar dashuria. Dhe një poet pa femër pranë nuk rron dot, e sidomos nuk krijon dot.

MBI NDIKIMET
Do të marr një shprehje të Dantonit, se s’kam frikë se mos më thonë plagjiat. “Poeti s’pyet se ç’merr dhe se nga e merr. Shikon ç’bën. Bën vepër arti”, atëherë mirë! Ajo që bëri u bë e tija. Ashti si ti arkitekt, a pyet nga i merr tullat, llaçin dhe betonin? Jo. Ti shikon se çdo të bësh me ato tulla, laç dhe beton. Shikon të bësh një pallat të bukur. Tullat, llaçi dhe betoni vdesin brenda. Ashtu vdesin dhe temat, fjalët, shprehjet dhe idetë e marra nga poeti, kur ai arrin të bëjë një vepër arti. Ato bëhen të tijat, mbajnë damkën e tij. Mos janë anglezët personazhet e Shekspirit? Jo. Janë danezë, italianë, arabë. Po mos e ka penguar gjë kjo që të jetë dramaturgu më i madh anglez?

AUTONOMIA E VEPRËS
Gjer më sot shumë veta kanë shkruar kundër meje, por asnjëherë s’jam përgjigjur, se poeti s’përgjigjet. Poeti bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka çka thotë.

MBI PËRKTHIMIN
Përkthimi bën kulturën. Përkthimet me durim që bënë murgjit nëpër manastiret nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, sollën kulturën e lashtësisë dhe ishin këto përkthime që përgatitën rilindjen italiane.
Shtatëqind vjet me radhë Greqia nxori filozofë, e ja, tërë këtë kulturë ata murgjit e përvojtur, të mbyllur nëpër manastire na i dhanë gati të përkthyer. Ata na e dhanë këtë kulturë.


MBI PËRKTHYESIN
Përkthyesi, gjë të parë duhet të ketë kulturën, kulturën e madhe. Ai që përkthen duhet të dijë gjuhën shqipe, sidomos kur përkthen poezi. Edhe gjuhën e huaj duhet ta dish mirë, por duhet të dish gjuhën tënde njëherë. Se s’mund ta japësh atë bukuri të gjuhës së huaj në gjuhën tënde, kur nuk zotëron mirë gjuhën tënde.
Përkthimi i poezisë, sikundër thashë, do kulturë, kulturë shqiptare. Dhe kultura duhet edhe kur të bësh vargun, kur të bësh poezinë. Ato fjalë që di të thuash, duhet t’i zgjedhësh. E, kur njeh mirë shqipen, atëherë vargu del jo shqip, por shqipërisht. Kur zotëron gjuhën tënde edhe poezia e përkthyer del e madhërishme.

PËRKTHIMI I POEZISË
Përkthimi i poezisë është i vështirë, se vetë poezia është e vështirë. Edhe më e vështirë është ajo në përkthim. Në origjinal e bën vargun vetë, si do ti, kurse ai i huaji nuk të lë, do të vesh sipas stilit të tij...
Dhe një njeri që e njeh poezinë, për shembull, do ta kuptojë: këtë e paska përkthyer Lasgushi.
Të përkthesh një poezi në një gjatësi vargu tjetër është njëlloj sikur të përkthesh Evgjen Onjeginin, që është nëntërrokësh, në tetërrokësh. Kjo do të thotë t’i ndërrosh tonin poezisë, t’i japësh tjetër ton. Po, ç’e bën muzikën, notat? Jo! Po i ndërrove këtë ton, e ndërrove poezinë.
S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, po ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezinë. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja, që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj?
Ku pyet poeti! Dhe ca më pak shqiptar! Se shqipja ka mundësia të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paroksitone, proparoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhëve të botës dhe mund të krahasohet me gjermanishten. Prandaj, s’ka faj gjuha, po ku është poeti?
Përkthime bëj, se tërë poetët kanë bërë përkthime. Edhe Gëte ka përkthyer, po më përpara duhet të bësh poezi origjinale, të tuat, se po të mos kesh bërë poezi origjinale, s’ke gjë në torbë.

MBI GJUHËN
Gjuha shpreh shpirtin dhe kulturën e një populli. Prandaj edhe fjalë të njëllojta kanë kuptime jo të barabarta, ekuivalente nga njëra gjuhë te tjetra, sepse shprehin shpirtra dhe kultura të ndryshme. Kështu fjala “Bukë” ka një kuptim më të gjerë, më të thellë, më jetësor në shqip se sa në ndonjë gjuhë tjetër.
Ne themi: haj të hamë bukë ose ke ngrënë bukë? Ose më hahet bukë!
Popuj të tjerë mund të thonë: haj të hamë, ose më hahet, kam uri. Për një popull tjetër buka nuk është gjithë ushqimi, është një pjesë e ushqimit. Për shqiptarin, gjithmonë të varfër, buka shpreh tërë ekzistencën e vet.
Po kështu fjala “Madamme” në frëngjisht shpreh një kulturë e një respekt tjetër nga ç’shpreh fjala “Zonjë” në shqip. Dhe kështu mund të vazhdojmë për shumë fjalë.
Kjo specifikë e veçantë e gjuhëve e bën të vështirë përkthimin dhe prandaj përkthyesi duhet të ketë kulturë shumë të gjerë që ta zotërojë nga të gjitha anët këtë specifikë të gjuhëve që përkthen.
Dhe kur përkthen, të gjejë fjalën, shprehjen e përshtatshme, që i përket vendit, ku përdoret e përse përdoret ajo fjalë apo ajo shprehje.

Dr. Robert Elsie - SHKËLQIMI I SHKURTËR I ELITËS

Kulmi letrar në Shqipërinë e viteve 30

Brenda një periudhe prej pesë vitesh në mesin e viteve tridhjetë, u realizua një hap i madh përpara në fushën e letërsisë. Në poezinë, Lasgush Poradeci botoi përmbledhje lirike të mahnitshme: Vallja e yjve, Constancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni, i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, arriti ta dërgonte vëllimin e hollë Vargjet e lira, Tiranë 1936, në shtyp para se vepra e tij të ndalohet dhe se poeti vetë të vdesë; dhe Gjergj Fishta paraqiti versionin përfundimtar të epikës së pashoqe Lahuta e malcís, Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Në fushën e prozës shqiptare u botuan: romani nihilist Nga jeta në jetë - Pse!?, Korçë 1935, nga Sterjo Spasse; përmbledhja e dytë e tregimeve të Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; romani i mirëpritur i kritikës sociale, Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, nga Haki Stërmilli; dhe vëllimi i parë i tregimeve të Mitrush Kutelit, Nete shqipëtare, Bukuresht 1938. Edhe Migjeni i botoi njëzet e katër skiza të mprehta nëpër gazetat e ndryshme brënda pesëvjeçarit 1933-1938 dhe e mbaroi dorëshkrimin e pabotuar, Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në fushën e dramës, Etëhem Haxhiademi e mahniti publikun e kulturuar me tragjeditë klasike të cilat, edhe pse nuk ishin gjë e re nga përmbajtja, e treguan një finesë të padëgjuar dhe të paparë në skenën shqiptare. Aq shpejt sa letërsia, u zhvillua edhe zhurnalizmi, i cili që nga koha e Rilindjes, vazhdoi të luante në rol themelor në afirmimin e kulturës kombëtare. Nga moria e gazetave javore dhe mujore nacionaliste jetëshkurtra që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, u zhvillua një zanat zhurnalistik me cilësi që i shërbeu përhapjes së informacionit, qoftë politik, kulturor ose letrar. Me gjithë strukturat primitive që zotëroheshin akoma në kohën e Ahmet Zogut (1895-1961), të bërë tashme Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve, shtypi u zhvillua në mënyrë liberale. Botuesit, po të kishin kujdes të mos kritikonin familjen mbretërore dhe politikën e jashtme të mbretit, mund të botonin si të donin. Cenzura ekzistoi, si në çdo diktaturë, dhe herë pas here gazeta u mbyllën, por situata kurrë nuk ishte aq tmerrshme se sa në periudhën pas ?çlirimit'. Në krahasim me vendet e tjera në vitet tridhjetë dhe dyzet, relativisht pak libra u botuan në Shqipëri. Kjo ishte rezultat i mungesës së zhvillimit ekonomik si dhe i analfabetizmit të lartë. Leximi i librave mbeti argëtim për një pakicë shumë të vogël meshkujsh. Një rritje e dukshme në prodhimin letrar, bile lulëzimi i kulturës së shkruar në Shqipëri varej atëherë shumë nga revistat dhe gazetat letrare të kohës të cilat i ofruan shumë shkrimtarëve të rinj një mundësi botimi dhe përhapën vepra dhe idera në tërë vendin. Revistat katolike të Shkodrës, si Hylli i Dritës (1930-1944) i Gjergj Fishtës, Zâni i Shna Ndout (-1944), dhe Leka (1929-1944), vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve. Për komunitetin mysliman doli në Tiranë revista Zâni i naltë (1923-1938) e cila informoi lexuesin mbi kulturën islame në Shqipëri dhe në Lindjen e Mesme. Por kishte edhe shumë revista të mira jofetare që ndihmuan në afirmimin e kulturës së shkruar të kohës. Revista mujore liberale Minerva (1932-1936) u botua në Tiranë ndër të tjerët nga Tajar Zavalani (v. 1976), artisti Odhise Paskali (1903-1985), Nebil Çika (v. 1944) dhe Stefan Shundi (1906 - ca. 1944). Shumë prej këtyre zhurnalisteve bashkëpunuan në revistën kulturore Illyria (1934-1936) në të cilën Migjeni botoi prozën dhe poezinë e parë. Një hap i madh përpara u realizua me revistën Përpjekja Shqiptare (1936-1939) e Branko Merxhanit (v. 1976). Për përhapjen e iderave të të majtës progresiste kishte edhe revista dyjavore ABC (1936) të Petro Markos dhe Bota e Re (1936-1937) komuniste të Korçës. Më vonë dolën revista mujore Shkëndija (1940-1943) e themeluar nga Ernest Koliqi, Fryma (1944), Revista letrare (1944) dhe Kritika (1944). Me kohë, kultura e kësaj periudhe filloi të tregonte gjurmët e polarizimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria ishte prekur fillimisht shumë pak nga iderat dhe idealet e Revolucionit të Tetorit në Rusi, me gjithë se një sasi e vogël figurash intelektuale e kishin vizituar Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i njohur më vonë si Peshkopi i Kuq, shkrimtari Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel Sejfulla Malëshova (1901-1971) dhe Tajar Zavalani. Padrejtësitë sociale në Shqipëri, të theksuara akoma më shumë nga një diktaturë gati bizantine, si dhe ngritja e Italisë fashiste mbushën mendjen e shumë intelektualëve të viteve tridhjetë që të interesoheshin për komunizmin sovjetik, ose të paktën për ndonjë lloj socializmi, për të luftuar kundër varfërisë dhe shfrytëzimit të masave fshatare. Polarizimi i ideologjive u theksua akoma më shumë me fillimin e Luftës Civile të Spanjes në vitin 1936. Shkrimtarët Petro Marko (1913-1991) dhe Skënder Luarasi (1900-1982) dhe një kontingjent shqiptarësh u nisën për në Katalonjë për ta marrë pjesë në Brigadat Ndërkombëtare. Idera socialiste zhvilloheshin në Shqipëri, por në të njëjtën kohë zhvilloheshin edhe idera fashiste. Një figurë mjaft interesante e kulturës shqiptare të viteve tridhjetë ishte Branko Merxhani, botuesi i revistës Përpjekja Shqiptare që nga tetori i vitit 1936. Merxhani e kishte të qartë se vendi i tij ishte i pazhvilluar në çdo drejtim, edhe intelektualisht, dhe bëri thirrje për një rilindje shpirtërore të cilën ai e quajti Neoshqiptarizmi. Kjo rrymë intelektuale hyri në shoqërinë shqiptare afër vitit 1928, me gjithë se rrënjët i kishte në Rilindjen Kombëtare të shekullit nëntëmbëdhjetë. Duhej tani në Shqipërinë e pavarur një identitet kombëtar, një vetëdijë shqiptare për ta nxjerrë miletin nga errësira dhe injoranca. Shqipërine e quajti një qënie e kufizuar së jashtëmi dhe e pakufishme së brëndshmi. Së bashku me shkrimtarin fashist Vangjel Koça (1900-1943), Merxhani e paraqiti Neoshqiptarizmin në vitin 1929 në gazetën gjirokastrite Demokratia dhe në vitin 1930 në revistën Neo-Shqiptarizmi. Neoshqiptarizmi e kishte për bazë nacionalizmi ideologjik. Në formën e mirëfilltë ishte një lëvizje kulturore dhe jo politike. Në fjalët e Merxhanit: ?Politikë s'ka! Vetëm kulturë!? Me kohë, Neoshqiptarizmi u bë një kundërpeshë ideologjisë më të politizuar socialiste dhe internacionalizmit të majtë. Edhe pse ishte një krijim shqiptar, Neoshqiptarizmi duhet shikuar ne suazën e ideologjive nacionaliste të tjera të Evropës së viteve njëzet dhe tridhjetë: hellênikótêta greke, kryesisht nën diktaturën e gjeneralit Joanis Metaksás (1871-1941) të viteve 1936-1940, italianità italiane në kohën e Duçes italian Benito Musolini (1883-1945), dhe hispanidad në Spanjen fashiste të gjeneralit Fransisko Franko (1892-1975). Ngadalë ato u bashkuan për të krijuar fashizmin evropian, i cili e solli një diktaturë brutale dhe panjerëzore kudo në Evropë. Shkrimtarë shqiptarë të viteve tridhjetë u tërhoqën, u mahnitën nga Perëndimi dhe u përpoqën ta zbulojnë rolin e Shqipërisë në Evropë. Kjo ishte një temë kryesore në shtypin letrar të kohës. Një sasi e madhe intelektualësh kishin qenë jashtë vendit dhe kishin parë shoqërinë perëndimore. Duke ardhur nga vendi të cilin, sipas shprehjes së njohur, ?e don Zoti sepse u ndryshua aq pak që nga koha e krijimit të botës?, ata ishin të tërhequr, por gjithashtu të çorientuar, të tmerruar me gjendjen e Shqipërisë. Fjala Perëndim në Shqipëri kishte një kuptim disi të paqartë duke qenë se vendi perëndimor më afër Shqipërisë ishte Italia fashiste e Musolinit. Me 7 prill 1939, diskutimi intelektual mbi rolin e Shqipërisë në Evropë u bë i tepërt pasi trupa italiane pushtuan Durrësin, Vlorën dhe Shëngjinin për ta kolonizuar gjithë Shqipërinë. Është puna e historianëve për të vlerësuar në çfarë masë përqafimi kulturor italian i Shqipërisë dhe më vonë pushtimi drejtpërsëdrejti politik i vendit ishin një fitim ose një humbje kulturore në atë fazë të zhvillimit. Shumë shpejt erdhi një luftë botërore. Polarizimi i ideve evropiane të Lindjes së Re dhe të Perëndimit të Ri, d.m.th. të komunizmit dhe të fashizmit, solli me vete konfrontimin përfundimtar në Shqipëri, si dhe kudo tjetër në Evropë, gjatë të cilit vendi ju nënshtrua vullnetit të pamëshirshëm të ekstremistëve politikë dhe ushtarakë, dhe gjatë të cilit shkrimtarë dhe intelektualë të të gjitha krahëve politike u detyruan të përgjunjeshin. Nuk e teprojmë kur themi se jeta intelektuale dhe kulturore shqiptare kishte arritur një kulm nga mesi i viteve tridhjetë deri në gjysmën e parë të viteve dyzet. Për herë të parë ekzistonte në Shqipëri një letërsi moderne bashkëkohore me cilësi. Kombi shqiptar qe arritur në moshë. Kjo periudhë, një lloj kohe e artë, solli një lulëzim, por një lulëzim tepër të shkurtër në hije të katastrofës e cila do të shfaroste gati gjithë prodhimtarinë letrare dhe kulturore për më shumë se njëzet vjet. Edhe një herë në historinë e kulturës shqiptare burbuqet e letërsisë u mblodhën. Edhe një herë rrënjët e bimës u prenë.

BRANKO MERXHANI nga Mark Marku

Branko Merxhani iu shfaq shoqërisë shqiptare vetëm një fragment të shkurtër kohor aty nga fundi i viteve 20 për t’u zhdukur 10 vjet më vonë. Ishte vërtet një shfaqje e shkurtër, por marramendëse e nga ato që lënë gjurmë në kulturën e një vendi. Kur ai u shfaq pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase shfaqja e tij është pritur me shpërfillje në mos në mënyrë armiqësore. Tek e fundit kush ishte ky Merxhani? Thashethemet e përhapura me këtë rast informonin se kishte lindur në Turqi se ishte shkolluar në një kolegj perëndimor në Izmir se kishte studiuar në Gjermani, informacione këto që në fund të fundit nuk thoshin ndonjë gjë të madhe pasi Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicien për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët ishte pikërisht fakti se ai nuk bënte asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij. Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private. Por me të ardhur në Shqipëri ai filloi të shpaloste shkallë-shkallë qëllimin e kthimit. Dhe këtë e bën me shkrimet e tij. Shkrime të botuara në organe shtypi si “Demokratia”, “Neoshqiptarizma”, “Përpjekja Shqiptare”, “Minerva”, “Ilyria”. Dhe pikërisht nga këto shkrime kuptohet se ai është pikërisht një shfaqje e domosdoshme pasi shkrimet e tij i ofrojnë shoqërisë shqiptare atë çfarë i nevojitej më shumë: - një alternativë zhvillimi. Dhe në këtë pikë Merxhani mbetet ndoshta intelektuali më emancipues i shoqërisë shqiptare ose më saktë intelektuali më i vetëdijshëm për nevojën e modernizimit të saj, shoqëri që në atë periudhë ishte në një udhëkryq të vërtetë. Cilin nga alternativat shoqërore që i ofroheshin duhej të zgjidhte shoqëria shqiptare? Konservatorët e shtynin shoqërinë shqiptare drejt tradicionalizmit, modernët drejt imitimit të modeleve të huaja, të majtët drejt komunizmit, të djathtët drejt fashizmit dhe absolutizmit, ekscentrikët drejt anarkisë e kështu me radhë. Në këtë vorbull alternativash dhe ideologjish, në këtë qerthull politikash dhe ndërthurje interesash Merxhani ofron një ideologji të vetën, neoshqiptarizmën - ideologji e mbështetur në njohjen e realitetit shqiptar dhe të nevojave të tij për ndryshim. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera kryesore e ideologjisë së tij pasi ai është i vetmi që arrin me ideologjinë e tij ekuilibrin e duhur mes dy elementëve të mësipërm pra realitetit dhe ndryshimit të tij. Edhe pse ka jetuar pak në realitetin shqiptar, Merxhani në mënyrë paradoksale e njeh më mirë dhe i përcakton më saktë nevojat e saj. Kjo pasi me sa duket ai është edhe më pakushtëzuar nga ky realitet. Ai nuk ka këtu të shkuar, nuk ka interesa të tjera përveç atyre që lidhen me pasionin e tij, nuk ka të afërm, rreth miqësor apo shoqëror që ta kushtëzojë në mendime dhe ta joshë drejt veprimtarisë politike, Merxhani nuk ka këtu asgjë të tillë përveç atdheut dhe dëshirës për t’i dhënë shoqërisë shqiptare një alternativë zhvillimi. Pasi e ka njohur mirë shoqërinë shqiptare ai e ka kuptuar se është një shoqëri gjysmë primitive. Gjysmë primitive që duhet shndërruar në moderne. Dhe për këtë në shkrimet e botuara në organet e ndryshme ai analizon dhe trajton probleme ekonomike dhe politike, probleme që lidhen me sistemin administrativ dhe juridik, probleme të rrolit të intelektualëve, të sistemit arsimor, probleme kulturore të gjitha probleme strukturore të shoqërisë shqiptare. Ajo që bie në sy në shkrimet e tij është bashkëkohësia e ideve të tij, dhe niveli i lartë profesional i trajtimit të tyre. Në ndryshim nga rilindësit që i trajtonin në mënyrë romantike dhe poetike problemet shoqërore me Merxhanin kemi modelin e intelektualit që i trajton në mënyrë shkencore dhe të argumentuar problemet e shoqërisë shqiptare. Ai është sociologu modern që u jep zgjidhje në mënyrë shkencore këtyre problemeve. Nuk është rastësi që Merxhani e shtron problemin e emancipimit të gruas shqiptare si një kusht për zhvillimin e shoqërisë dhe modernizimin e saj qysh në vitet 30 vite kur p.sh edhe në shumë vende evropiane gruaja nuk kishte ende të drejtë vote. Merxhani ishte në kohë edhe kur përkthen leksionet e Frojdit për psikanalizën ndërkohë që ai ishte ende shumë i diskutuar në Evropë, Merxhani ishte në kohë madje i parakohshëm kur argumenton në shkrimin e tij “Pse nuk jam marksist” rreziqet e komunizmit për shoqërinë shqiptare. Dhe të mendosh se këtë gjykim ai e bënte në një kohë kur ideologjia komuniste dhe ëndrra për realizimin e tij kishte pushtuar mjaft intelektualë të shkëlqyer evropianë. Formimi i tij kulturor dhe përkushtimi ndaj ideologjisë së tij programative për shoqërinë shqiptare të quajtur nga vetë Merxhani Neoshqiptarizma, e bën atë të gjejë në shumicën e rasteve zgjidhjen e duhur dhe këtë t’ia rekomandojë edhe shoqërisë shqiptare. Ishte bërë zakon në vitet 30 që për hir të antikomunizmit shumë intelektualë ta gjenin zgjidhjen e duhur tek fashizmi si sistem që i kundërvihej në mënyrë të drejtë komunizmit dhe pengonte përhapjen e tij. Merxhani përkundër luhatjes së shumë intelektualëve të djathtë shqiptarë dhe simpatisë së tyre për fashizmin nuk u pajtua me të dhe nuk e rekomandoi atë si zgjidhje për shoqërinë shqiptare. Merxhani e orientonte shoqërinë shqiptare drejt modernizimit të saj, i ofronte asaj arritjet e shoqërive më të zhvilluara, kërkonte që këto elementë të ndërthureshin me elementë pozitivë të kësaj shoqërie, ta ndryshonin atë, pa e tjetërsuar. Studiuesi A. Plasari e quan këtë projekt në një studim hyrës me rastin e botimit të veprës së Merxhanit “utopia Merxhani”. Një konstatim i tillë edhe pse i saktë nuk ja zbeh vlerën, përkundrazi, në historinë qytetërimit botëror ka projekte që mbeten utopike për shkak të pamundësisë së tyre për t’u zbatuar, për shkak të mosreceptimit apo të metafizikës së tyre, për shkak të idealizmit të tepërt që i përshkruan apo për shkak të mungesës së racionalitetit të tyre. Projekti Merxhani është konkret, dhe i zbatueshëm dhe mbeti i pazbatueshëm vetëm për shkak të zgjedhjeve të gabuara që bëri shoqëria shqiptare. Ndërkohë autori del pandjeshëm nga skena teksa zhytet në gjumin e amshueshëm. Ai vdes në vitin 1981 në Stamboll ku jetonte prej pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në historinë e kulturës shqiptare janë të paktë ata krijues që kanë bërë kaq shumë dhe për të cilët kemi kaq pak të dhëna biografike. Ndoshta dhe ky ishte një qëllim i Merxhanit. Të shfaqej ashtu në mënyrë enigmatike, të bënte të ditur projektin e tij dhe pastaj të zhdukej po në atë mënyrë që u shfaq duke na lënë në dorë vetëm projektin e tij të zhvillimit shoqëror: Neoshqiptarizmën. Ky projekt ishte e vetmja gjë që ai nuk dëshironte të kishte fatin e tij personal-shpërfilljen.

PËRZGJEDHJE NGA PUBLICISTIKA E BRANKO MERXHANIT

Branko MERXHANI
Qëllimi i luftës: Idealizmi i jetësShqipëria e ndjenjës, Shqipëria e mendimit, po pret krijonjësit e saj. Dritë përmbi fantazinë e së shkuarës. Nuk jemi as stërnipër bonjakë të Pellazgëve mitologjikë, as gërmadhat e Ilirianëve: jemi shqiptarë – Një kombësi e re.Përralla pellazgjike është një hipotezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofizmë duhet ta neveritim. Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që të ëndërrojë përrallat turanike. Asnjë grek, me mendje të shëndoshë, sot nuk mburret se është stërnipi i Periklidit. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej shumë kohe origjinën e tyre: jeta e popujve nuk është veçse Mrekullia e Zhvillimit, që rregullon valët e mëdha të shekujve.Po! Jemi Shqiptarë dhe përbëjmë një kombësi të re. Mëma e Nacionalizmës, mallëngjimi kombëtar i shekullit XX, nxorri në dritë një pjellë të re. Kjo pjellë jemi ne. Si Neo-grekët e sotëm, si turqit e sotëm të Azisë së Vogël, kështu edhe neve na ka pjellë një natë magjike vere, dinamizmi krijonjës i freskët dhe përjetësisht i ri i natyrës, në gjirin që nuk duket dhe misterioz të Perëndisë së krijesave. Jemi akoma djem. Ndërgjegjja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritshme të Krijonjësit. Sytë tanë nuk janë mësuar akoma të shohin me simpati Diellin e Intelektit. Ku janë krijimet tona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën tonë, farën tonë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i zhvilluar? Ku është gjuha jonë? Ku është kultura jonë?Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e saj...Lindëm në errësirë, po kërkojmë dritë. Dhe misioni i brezit të sotëm është që të na shpjerë nga errësira në dritë.Rreziqe na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Me gjithë këtë, nuk ka asnjë rrezik. Mjafton ta kuptojmë. Ai që rron, rron se pse e pa dhe e mundi rrezikun. Edhe Grekët e Vjetër, në hapat e para të zhvillimit të tyre, luftonin kundër po këtij rreziku. Bile luftuan një shekull të tërë. Po u përpoqën si gjigantë. Me gjithë këtë, me zor të madh shpëtuan nga rreziku që të mbyten në rrymën e tmerrshme që kish shkaktuar hyrja e influencave të huaja, që u kish lënë trashëgim e shkuara.“Mania e Historizmës” mend e prishi atë statujë madhështore të mendjes njerëzore, bile edhe para se të ngrehet. Dhe jo sepse nuk kish zbuluar akoma rrugën e jetës, që çelet brenda në pastërtinë dhe flakën e ndërgjegjies kombëtare. Për një kohë të gjatë qytetërimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veçse një trazim konceptesh të pakuptuara semitike, babiloniane, indiane dhe egjiptiane. Feja e tyre ishte një shesh anarkik dhe i nxehtë lufte midis njëri-tjetrit, shesh mbi të cilin mbretëronin të gjitha Perënditë e Azisë. Me gjithë këtë Kaos, qytetërimi grek lindi, rroi dhe mbretëroi mbi fronet e të gjitha epokave të paskëtajme. Greqia e Platonit mundi pak e nga pak t’i zhdukë influencat e huaja, të dëbojë nga Falëtorja e Mendimit Perënditë e Barbarëve, d.m.th të organizojë Kaosin, që gjendej brenda në Unin e saj. Mysteri i qytetërimit grek ka qenë Perëndia e Delfit, e cila tha:“Gnëdi santon”!...
“Neo – Shqiptarizma”, 1, 1930
Organizimi i Kao-sit Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rumbat t'ona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurma të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historike-shoqërore të pakapëshme. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën t'onë, nuk janë vecc se vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes s'onë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha çfaqjet e tjera të dynamismës s'onë qytetëronjëse. Në idetë dhe tendencat t'ona shoqërore, ca më shumë në kuptimet t'ona mbi formën dhe esencën e institutevet t'ona shoqëore. Ësht një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë po thua jetën t'onë. Ideale s'kemi. Racionalisma e jonë është po thua si e djemvet. Dispozita për një gjyrmim të ngulur shkencor dhe sistematik na mungon krejt. Ku e ka rrënjën e saj kjo e keqe? A ka vallë arësye historike? Nga pikëpamja e kuptimit sociologjik cili është shkaku i kësaj gjendjeje?Ja disa pyetje që vë Neo-Shqiptarizma përpara Djalërisë s'onë intelektuale dhe idealiste. I vë dhe shton: Pa dhënë përgjigje në këto pyetje, s'mund të bëhet asnjë çap përpara!....***Ka shumë kohë që shkoi ajo epokë në të cilën Nacionalisma ishte shoqe e Romantismës. Nacionalisma e sotme çmon kryesisht Realitetin. Është shprehja e gjallë e Sociologjisë si shkëncë, një farë tokë sbatimi të Hygjienës Shoqërore, një Laboratorium i sëmundjevet psikologjike-shoqërore. Si vlerë pozitive ka vetëm gjyrmimin. Sbulimin e rrënjës të së keqes.Kërkimi themelor i Neo-Shqiptarismës nga Djalëria- nga ajo Djalëri e cila, e ndritur me fenerin e mëndjes, ndjen pa dyshim përkundrejt fatit historik të Atdheut një respekt të thellë dhe është vënë me mish eme shpirt në rugën e fatit dhe të së ardhmes- është ky: Të ndjekë një formë shkencore në gjyrmimet dhe në përkufizimet, si edhe një kuptim filozofik të plotë dhe të tanishmë në idealismën kombëtare.***Një intelektual shkon rezikun më të math dhe më të tmerëshmë: të bjerë në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe katotike të fantasisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botëra të rrema, vlera të vdekura që bien vetëm gjumë, dhe "utopistë gjenialë".Drita është Shkënca. Bota e Realiteteve. Problemi i jetës, mysteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Jetën nuk duhet t'a shohim përmes prismës së fatnasisë s'onë. Vështrimin t'onë duhet t'a kthejmë përkundrejt jetës, d.m.th. t'a shohim jetën ashtu siç është dhe jo ashtu siç e duam ne të jetë. Jeta do një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar. Ja pika nga e cila nisemi. Të ndriçojmë shkaket e thella të anarkisë s'onë shoqërore, që na la trashëgim e shkuara, me fenerin e shkëncës sociologjike.Dhe ja pika e drejtimit t'onë: Përmbi gërmadhat e Shqipërisë së djeshme, të prishur dhe të robëruar, të krijojmë një Shqipëri të nesërme të mbaruar, të ndritur, të qytetëruar- një Shqipëri jo historike, po qyetëronjëse. * * *Qëllimi i luftës: Idealizimi i jetës.Shqipëria e ndjenjës, Shqipëria e mendimit, po pret krijonjësit e saj. Dritë përmbi fantasinë e së shkuarës. Nuk jemi as stërnipët bonjakë të Pellasgëvet mythollogjikë, as gërmadhat e Ilirianëvet: Jemi Shqipëtarë- Një Kombësi e re.Pralla pellasgjike është një hypothezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofismë duhet t'a neveritim. Sot s'ka mbetur asnjë Turk i ditur që të ëndërojë prallat turanike. As një Grek, me mëndje të shëndoshë, sot nuk mburet se është stërnipi i Perikleut. Edhe Romanët e sotmë e kanë haruar prej shumë kohe origjinën e tyre. Jeta e popujve nuk është veç se Mrekullia e Shvillimit, që regullon valat e mbëdha të shekujvet.Po! Jemi Shqipëtarë dhe përbëjmë një Kombësi të re. Mëma e Nacionalismës, Mallëngjimi Kombëtar i shekullit XX, nxori në dritë një pjellë të re. Kjo pjellë jemi ne. Si Neo-Grekët e sotmë, si Turqit e sotmë të Asisë së Vogël, kështu edhe neve na ka pjellor një natë magjike verore, dynamisma krijonjëse e freshkëtë dhe përjetësisht e re e natyrës, në gjirin që nuk duket dhe misterioz të Perëndisë së Krijesavet. Jemi akoma djem. Ndërgjegja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritshme të Krijonjësit. Sytë t'ona nuk janë mësuar akoma të shohin me sympathi Diellin e Intelektit. Ku janë kujtimet t'ona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën t'onë, farën t'onë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i zhvilluar? Ku është gjuha jonë? Ku është kultura jonë?Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Falëtoren e saj...***Lindëm në errësirë, po kërkojmë dritën. Dhe misioni i brezit të sotmë është që të na shpjerë nga erësira në dritë.Reziqe na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Me gjithë këtë, nuk ka as ndonjë rezik. Mjafton t'a kuptojmë. Ai që ron, ron se pse e pa dhe e mundi rezikun. Jeta nuk ka tjetër vlerë, tjetër kuptim. Jetë do të thotë të mundësh rezikun. Edhe Grekërit e Vjetër, në çapet e para të zhvillimit të tyre, kishin të luftonin kundër po këtij reziku. Bile luftuan një shekull të tërë. Po u përpoqën si gjigandë. Me gjithë këtë, me zor të math shpëtuan nga reziku që të mbyten në rrymën e tëmerëshme që kish shkaktuar hyrja e influencave të huaja, që u kish lënë trashëgim e shkuara."Mania e historismës" mënjë e prishi atë Statujë madhështore të Mëndjes Njerëzore, bile edhe para se të ngrehet. Dhe jo se pse nuk kish sbuluar akoma rrugën e jetës, që çelet brenda në pastërtinë dhe flakën e ndërgjegjies kombëtare. Për një kohë të gjatë qytetërimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veç se një trazim konceptesh të pa-kuptuara semitike, babyloniane, indiane dhe egjiptiane. Feja e tyre ishte një shesh anarkik dhe i nxehtë lufte midis njëri-tjetrit, shesh mbi të cilin mbretëronin të gjitha Perënditë e Asisë. Me gjithë këtë Kaos, qyeteërimi grek lindi, roi dhe mbretëroi mbi fronet e të gjitha epokave të paskëtajme. Greqia e Platonit mundi pak e nga pak t'i çdukij influencat e tyre, të dbojë nga Falëtoria e Mendimit Perënditë e Barbarëvet, d.m.th. të organizojë Kaos-in, që gjendesh brenda në Unën e saj.Botuar më 1 korrik 1930



Europa dhe ne të tjerëtKoha jonë, kohë pleonasmash dhe produksioni të tepër, është mbushur edhe nga Profetë, që profetizojnë "Fundin e Evropës". Vallë? Kaq shpejt? Po kur u-plak dhe po jep shpirtin djali i djeshmë? Gjurmat e para të jetës së saj nuk e kapërcejnë shekullin XII. Po dita e vërtetë e lindjes së saj është më e afërme. Mund të na e kallëzojë edhe fantazia më e varfër e brezit më të parë. Besimi i "Perëndisë-Njeri" që erdhi dhe iku si ndonjë "VISION" këtu e njëzet shekuj më parë, po mbretëron akoma edhe sot. Byzanti, ky emër mizor dhe për të qarë, qëndroi më se njëmijë vjet. Vetëm hija e tij rrojti pesë shekuj. Po Evropa? Mbaroi? - E rreme! Në rrezat e Uraleve po gjëmon zëri i saj. Shpirti i saj sapo arriti në fushat mëkatare të Azis së harruar. Evropa hyri në Azi këtu e një shekull e gjysmë më parë. Tani që ikën, që ecën praptazi, tani pikërisht hyn në 'të. Evropa u-fut thellë në kryet, në gjakun, në shpirtin e robërvet të saj të djeshmë. Atje ku ata hynë horizonti ndroi menjëherë. Në stepat e thata pa an'e krye po mbijnë pemë që shtien hije aq sa qielli i kaltërt i vendit të prallës dhe të ëndërës po mbushet me tym të zi, që lëshon një Perëndi e re: MAQINA.Një shekull e gjysmë Azia plakë, ky djep i feve dhe i Theokrative, po lozte me shakat e saj. Dora e saj, e hollë dhe sentimentale po shkruante vjersha dhe bënte lodra. Nuk deshi të ndrojë me fuqin e Maqinës. Trembesh nga armët më të mbaruara dhe nga dituria më e lartë e zaptonjësit si nga ndonjë mëkatë. Kërkoi shpëtimin e saj nga mohimi i duruar dhe i pambaruar i Theokratisë. Atje brenda e kishte burgosur shpirtin e saj. Po turpi i saj mbeti jashtë. Kështu, duke fshehur shpirtin dhe duke lënë jashtë trupin, pandehte se do të shpëtonte. Shpëtoi sa mund të shpëtojë edhe ai zog i varfër që fsheh vetëm kryet brenda në rërë që të shpëtojë nga plumbat e gjahtarit!...Shtrenjt e pagoi Azia verbërinë e saj. U bë skllave.Njëqind e pesëdhjetë vjet shkuan sa të sgjohet Azia. Ballët e saj i ndriti tej-për-tej nga një flakë e bardhë. Pasioni i saj është pa fre, i egër, hakmarrës. Po Theokratët u-vogëluan. Tashmë ajo kërkojn Maqinën, beson Maqinën - me atë dashuri, me atë pasion që besonte gjer dje hallet e saj të mëndafshta dhe vazot e saj t'ergjenta. Merr pastaj maqinismën idololatrike dhe e shkrin mirë-e-mirë brenda në flakën e të dhëmburavet të saj njëqind e pesëdhjetë vjet me rradhë. Ka edhe ajo nostalgji për Qytetërimin dhe për Teknikën e madhe të sotme, jo vetëm me syrin e dobisë, po sidomos me vendimin e çlirimit kombëtar. Në Rusi, në Turqi, në Persi, në Hind, po zien nostalgjia e shpëtimit të Aziarit. Azia vjen në vehte - për hir të Evropës."EVROAZIA" bredhëse e Trubeckoj-it, kjo copë dhe në mes të Evropës dhe Azisë, ç'bëhet? - Popujt e saj po marin frymë thellë. Demokratitë e saj po shtohen. Është shenjë që edhe ata hynë në periodën e zierjes së brëndëshme. Karta shoqërore dhe ekonomike e popujve të vegjël të ndryshmë, që nga ujrat e shqetësuara të Egjeut gjer në buzëdetin e vërtetë të Filandisë, po sillte gjer dje të nxirat e një rënieje të heshtur. Mirëpo arritën në periodën më karakteristike të mundimeve të tyre të gjata: në periodën e REALITETEVET KOMBËTARE. - Të huajt u-hoqën pothua vetë, pasi humbën robet e tyre të verbër. Po djemt e robërvet, të ritur në pikëllim dhe në mizori, përpiqen të ngulin flamurin e jetës së re mbi gërmadhat e errëta të kullës së neveritur. Sepse besojnë në dynamismën dhe në produktivitetin e popujve të tyre.Evropa na sbrazi xhepin, po na mbushi shpirtin.
Botuar në vitin 1934

Shteti dhe bursistët
Shtet. Ja një fjalë e shkurtër, e cila simbolizon githë kuptimin e independencës kombëtare të vërtetë. Shtet do të thotë shoqëri e organizuar. Po është një veprë arti e një pune njerëzore shumë të gjatë. Do punojmë shumë vjet. Do të mundohemi për shumë breza. Do dërmojmë shumë armiq. Do të çdukim influencën e shumë të metave anitshoqërore dhe trashëgimore. Vetëm pas një lufte guximtare, vetëm pas një periode të tërë heroizmi spiritual do vijë dita e bukur në të cilën do të ndritij edhe në horizontin e Atdheut t'onë dielli i Qytetërimit: Shteti...Për të arritur këtë gjë, duhet të zgjidhen disa probleme. Probleme të cilat duket dhe mundemi t'i zgjidhim, bile dhe në mënyrë më të kënaqëshme. Është e vërtetë se gjer para pak kohe nuk i ishte dhënë rëndësia e duhur kësaj çështjeje prej autoriteteve kompetente të Ministris së Arësimit. Po Monarkia edhe kësaj çështje i dha një shtytje të re. Dhe interesimi i Monarkut të Math në favor të arsimit jep mjaft kurajo për përparimin e arthmë të Atdheut t'onë. Edhe si një rezultat i parë i këtij interesimi të vërtetë mbretëror pat-qënë emërimi i tre inspektorëvet nëpër kryeqytetet evropiane për të pasuar më rregullisht jetën dhe punën e studentëvet t'onë. Po kujdesi shetëror nuk duhet të qëndrojë këtu...E ardhmja e vendit varet nga misioni i lartë që mori përsipër të realizojë djalëria studenteske e shpërndarë nëpër qytetet e ndryshme të Evropës. Ajo do të jetë Sjellësi i Qytetërimit. Frymëzuesit e Shqipëris së nesërme. Punëtorët e botës së re Shqiptare. Po është një detyrë e Qeveris së sotme të vendit t'i japë djalërisë studenteske të gjitha mjetet e nevojshme që të mundet ajo të plotësojë veprën e saj.Po ç'bëhet sot? Kemi një grusht studentësh jashtë, të cilët janë po thua krejt të neveritur në fatin e tyre....Shteti i sotmë Turk u paguan studentëve të tij të jashtmë bursa të shëndosha të përmuajshme. Dhe ç'shumë merni me mënd pak a shumë? Njëzet e pesë No.25 lira sterlina ar. Po Shqipëria vetëm shtatë No.7 napolona për studentët e Italisë, nëntë No.9 për ata të Austrisë e kështu tutje.Kjo shumë është krejt e pamjaftë. Me qënë se me bursën e sotme shumë të varfër, që disponon Shteti, sigurohen mezi vetëm shpenzimet e ushqimit. Domethënë të fjetur e të ngrënë. Pa tjetër mban mënd i ndershmi dhe sympathik Sekretari i Përgjithshmë i Ministris s'Arësimit se, kur ishte student në Francë dhe bursist i Qeverisë Ottomane, merte afro 15 lira turke ar në muaj. Dhe këtë në një kohë në të cilën jeta ishte shumë e lirë dhe e lumtur. Përpara Luftës së Përbotëshme...Me një çudi përmbysëse çdo gjë u-ndrua në botë. Dhe spenzimet e jetës u-shtuan në mënyrë kolosale. Dhe më parë nga çdo gjë spenzimet e jetës intelektuale. Po studenti ka nevojë për libra. Për revista. Për jetë. Dhe duhet të jetë në pozitë të pasojë të gjitha edisionet shkencore më të ra. Po gjëja më me rëndësi është çështja e jetës. Sjellësi i Qytetërimit mund të quhet ai student i varfër, i cili banon në lagjen më të varfër të një qyteti të sotmë të math dhe i cili mund të vijë në kontakt vetëm me klasa më të ulëta?..Qyetetërimi i sotmë lyp shumë shpenzime. Ka bibliotekat e tij. Theatrot. Klubet intelektuale. Dhe ka nevojë për kontakt, ka nevojë për njohje me qarqet e aristrokracisë intelektuale. Dhe të gjitha këto lypin të holla. Shteti ka detyrë të kujdeset për gjendjen e tyre.Nuk ësht i drejtë mendimi se jemi një Shtet i varfër dhe se para nuk mundemi t'u paguajmë studentëvet ato që u duhen. Se pse, po t'a dojë nevoja, mundemi shumë bukur të kufizojmë numrin e tyre dhe bile të bëjmë një zgjedhje të drejtë dhe pozitive midis tyre. E vërteta është se systemi i sotmë dhe bursa e sotme nuk mund të sjellën as nonjë rezultat të dobishmë: Është një mundim i kotë dhe një shpresë e humbur. (Botuar më 1928)


Kurajo!Si qëllim të përfundëshmë të përpjekjevet kombëtare-shoqërore të Tendencës Neo-Shqiptare, që përkrahim ne, mundemi të pranojmë këtë princip.Krijimi i një Shqipërie brenda të pa-kufishme, jashtë të kufizuar.Krijimi i një Shqipërie! Është lodhje, dëshpërim dhe pa qëllim të kthejmë sytë në gërmadhat e skllavërisë dhe në mjerimet që na la trashëgim e shkuara. Ky vështrim nga prapa është një gjë monstruoze. Syt t'ona, të drejtuara nga prapa, nuk do të takojnë veç se një gjurmë tepër të madhe shkatërrimi, shenja të pa-numërta kalbësimi, britma të dëshpëruara njerëzish dhe epokash. Dhe të gjitha këto të mbështjellura gjithëmonë brenda në një mjergullë të trashë. S'ka gjëkundi as pikë jete dhe shprese. Po ka dhe një drejtim të përkundërtë. Drejtim që zë të Vjetërën me të Renë. E Arthmja!E vetmja rreze shprese dhe shpëtimi për fatin shqiptar. Mundet që një ditë të shkëlqejë me takimin e një agimi plot gëzime, agim i cili do të faqet bashkë me sgjuarjen e Jetës së Re. Po vetëm sy guximtarë, shpirtra plot dashuri dhe ballëra të ndritura e të gëzuara do të mundin të gëzojnë kryelartësinë dhe madhërinë e kësaj jete. Shqipëria e mendimit dhe e ndjenjës, Shqipëria e vërtetë nuk gjendet nga prapa, po përpara neve!...Dhe në qoftë se nuk do të mundemi të shtiem sytë t'ona në këtë drejtim, në qoftë se nuk do të marrim dot vesh thellë-thellë kuptimin e këtij orientimi krijonjës; domethënë, në qoftë se nuk e ndjejmë realitetin e jetës kombëtare-ahere është e humbur çdo përpjekje, është e kotë çdo dëshirë që të qëndrojmë si një unitet shoqëror i lirë dhe i lumtur brenda në sukseset përparimtare fantastike dhe të pa-arritshme të qytetërimit të shekullit të sotmë!***Shënja shquarëse e Neo-Shqiptarismës, kondita e parë e ekzistencës së saj është kurajua mendore. Për këtë them se Djalëria, e cila ka për detyrë të japë shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimit qytetëronjës të vendit duhet që pikë-së-pari të tregojë fuqin e superioritetit mendor dhe të ketë kurajën të përballë të vërtetën e jetës kombëtare ashtu siç është në realitet dhe t'u a çfaqë të tjerëve krejt lakuriq.Lamë të shkojë shumë kohë, duke përgëzuar ambiciet historike me fluturat prallore. Po kombet që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe me të cilët na lith afro po një fat historik, na kanë lënë të paktën një shekull prapa. Me gjithë këtë as nonjë nga ne s'ka treguar gjer sot kurajo mendore, që të na shpjegojë arsyet e vërteta dhe shkencore që shkaktuan këtë fakt të hidhur. Nuk janë të paktë ata që shohin, si të vetme arsye historike të fatkeqësisë s'onë të sotme, periodat e gjata të sundimit të huaj, që kaloi populli ynë. Për fat të keq, ky shpjegim nuk është një shkak, është një përfundim..Mos jemi vallë në botë i vetmi popull, i cili, në peripetin e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirani në tiran?Ja, krahas me neve një botë e tërë, e cila shpëtoi dhe u tregua për hir vetëm të shkeljes turke!...Themelonjësi i shkollës Evrasiatike Princi rus Troubeskoi, që sot quhet si një nga hegjemonët e shkëncës, thotë diku:"Sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë".Kjo është e vërteta. Historia jonë nuk është veç se një vazhdim besnik i peripecive të çfarëdosojme të sundimit të huaj. Po ne u treguam nxënës të keq. Nuk kemi mësuar as letrën A!...***Nga organizma jonë shoqërore mungon një gjë e doemosme, le t'a emëroj sot: Faktori kryesor i shpiritës shoqërore, idealizma krijonjëse, kuraja mendore, devocioni për realitetin kombëtar!Kurajua është arma më e çmuar e përparimit. Gjurmimi i së vërtetës, Shkenca, nuk kuptohet pa kurajon. Brënda në luftën e vrazhdë dhe të pamëshirëshme të jetës së sotme jemi të ekspozuar në një rrezik të math. Dhe vetëm kur të kuptojmë gjithë tmerrin dhe gjithë shkatërrimin që do të shkaktojë ky rezik, ahere vetëm do të mundemi të themi se hodhëm të parin çap të shëndoshë përpara, për shpëtimin.Në "Gotzendammerung" Nietzche shkruan:"Kombet, që kishin një farë vlerë ose fituan një farë vlere, këtë gjë s'e arritën me Institucionet Liberale. Reziku i math i lartësoi kombet. Reziku, të cilit i detyrojmë mirënjohsi, i shton mjetet e rezistencës s'onë, çfaq viruset t'ona, shpërndan në zëmrat t'ona kurajo, jep armë në duart t'ona dhe sbulon përnjëherësh vlerat e pa-njohura mendore, që flënë brenda nesh. Reziku na shtrëngon të jemi të fortë".Megjithë fuqin e zërit t'im dua të flas brenda shpirtrat e Djemve t'onë këto fjalë të arta të krijonjësit të "Ubmerensh"-it. Para gjithash të gjurmojmë shkaket historike dhe sociologjike të dekadencës s'onë shoqërore. Me kurajo. Dhe ahere do t'i hapin sytë popullit t'onë. Dhe do të faqet reziku i math i gjallë. Reziku, që breth reth e rotull nesh, në krah t'onë, brenda nesh, si nonjë shtazë e uritur!... Botuar më 1929



KULTURA DHE POLITIKA

…Çdo shoqëri shfaq dy vullnete sociale. E para është Kultura, e dyta është Politika. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet teorike dhe përshtypjet spiritualiste ose materialiste të një shoqërie. Kurse politika përmban dhe përmbledh të gjithë mundimet praktike që bën një grup shoqëror brenda rrokullimave të historisë së vet. Puna e Kulturës, në parim, është një punë mendimi, që ecën kryesisht drejt zbulimit të së Vërtetës. Politika, në parim, edhe kjo është punë mendimi, por një punë që nuk ka si qëllim kryesor të gjejë të vërtetën: Politika ecën drejtpërdrejt për një Fuqi dhe për në Pushtet...
... "Kultura është krijesa e lëvizjes së lirë të ideve. Fitimi që u realizua me pallë ishte më i paktë. Lufta e vërtete është lufta për iderat"


MBI SHTETIN
Shteti përbën përmbledhjen e personalitetit moral, shkencor, artistik, fetar dhe juridik të një turme njerëzore. Individi nuk është veçse një “krijesë me instikt”. Dhe vetëm shtrëngimi dhe violenca e ndërgjegjes shoqërore këtë krijesë e transformon në një personalitet shoqëror… Për Neo-Shqiptarismën, Shtet do të thotë vullnet i shoqërisë.

MBI KOMBIN
Idealizma shoqërore. Ja shpirti i Neoshqiptarismës. Mirërojtjen e tij njeriu ia detyron jetës shoqërore. Dhe kombet ekzistojnë vetëm ahere kur mundin të krijojnë një ndërgjegje shoqërore. Jashtë kësaj vije njeriu është veç se një krijesë, dhe Kombet janë vetëm turma barbare.

MBI LIRINË E MENDIMIT
“Liria e mendimit individual është e pakufishme. Po, si elemente shoqërore, duhet të orientohemi me nevojat e jetës shoqërore. P.sh., si njerëz të mendimit të lirë, mundet të mos besojmë një gjë. Po, si elemente shoqërore, si elemente të përparimit dhe të rregullit, ai nga ne që do t’i mësojë vendit tonë, p.sh., ATHEISMËN, duhet të quhet kriminel përkundrejt nevojës shoqërore”.

PËRZGJEDHJE NGA PUBLICISTIKA E ANTON HARAPIT

FANATIZMI - një turp për personin dhe për shoqërinë

Zotni të ndershëm,
Më falni për guximin: due ta përballoj çashtjen ma delikate në jetën shqiptare.
Kush e kishte zanë besë?... Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe, ndër ateistat e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmnisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte qi nuk lanë me luejtë, por janë edhe prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. Për sa dij unë deri më sod, kjo çashtje kurrë nuk qe përballue kjartë e mirë; sa herë qe kallë, menjiherë edhe qe mbulue porsi gaca nën hi.
T’i mbetet hatri kujt të duejë, unë due ta thom mendimin tem haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik e këta jo për besim, sa për inat e për parti. Ndër çasat ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njimend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse ne fund te punes mbeti nji tharm, nji gond rryme e partie, sa me të trembë e me të emoralizue. Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër ne? Ateistat me të gjithë skeptikët, indiferentat, natyralistat, aventurierët e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmëtë qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë tc gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiparizma! Këta shpresoj t’i përballo nji herë tjetër; këtyne tash po thom vetëm se Shqipnia nuk ash vend i pa Zot; e se shqiptarët a nuk janë, as nuk duhet të jenë t’patënzonë. Fjalën këtë herë e kam m besimtarët e tre elementave.
Pa kontenstim ne jemi n komb, nji shtet e nji popull me n shpirt, me nji gjuhë e me nji histori, e po t’ishim edhe të nji besimi, patëm me qenë edhe ma te bashkuem, ma homogjenë, dhe nuk patëm me bjerrë mund e kol për t’u kuptue ndër shumë pun Por fakti asht ky se na jemi pra myslimanë, ortodoksë e katolik e si të tillë duem të rrojmë në nje harmoni yëllaznore. Unë thom se për këtë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vëllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezin tem e ve kësodore: shqiptarët, po qenë vërtet të qytetnuem e nacionalista të sinqertë, besues edhe përnjimend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vëllaznisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerëzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me qenë të damë e të përçamë, jo psejanë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat ejetës shoqnore, kombtare e fetare

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vëllaznimit tonë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për personin, turp përi besimin të cilit i përket personi nje turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithe njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njerinë ndër ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht dhe egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit. Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullndesës deri në kulm,... por me këtë ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për nji parim t’arsyeshëm, ndërsa fana-tiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotësi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fonë, por njerëzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor. Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim. Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturen vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e ne shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vete ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vëllaznit e vet sh-qiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi. Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet tajustifikojmë, nëmose paravetes, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtues në nji sistem jete. Kjo don me thanë kulturë fe-tare.

TE RROJME SHOQNISHT E VLLAZNISHT

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën a Peigambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vëllaznisht. Pa kulturën njerëzore, nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz i e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.
Kam pa myslimanë edhe kristianë qi me vetëmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk shfaqin nji madhni shpirtnore të, cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyren të shumtën e herës bazohet , thjesht në nji zakon, në nji traditë, i në nji moskuptim të jetës fetare qi e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.
Nji kusht tjetër qi rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari em. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamëm fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. Më ka ra rasa për vjetë e vjete të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.
Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prapë e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e nji tjetri asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindsh të individualizmit egoistik. Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush ne edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshin edhe besimesh të ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kuj shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

SHKAQET E DASISË

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta sho-qnore e fetare, vijmë ndër parime; E parimisht sedli besim ka dog-mat e veta, por dogmat nuk ndër-rojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin. E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetë-simi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht. Kështu arsyetojnë ata qi besimet i kanë ferrë në sy.
Problemi i vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet qi janë:
1. Intoleranca dogmatike, 2.Toleranca shoqnore qytetare, dhe 3. Toleranca shoqnore politike. Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë por i afrohet kuptimit, me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk bartim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme, na merr nderin.
Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë qi në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë qi ndërgjegjja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë nji parimi, të cilin e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë qi nuk bartet as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zit e thonit. Fjalë qi me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim në kurrnji mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë, e arsyeshme, e drejtë: e vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar. Ja edhe arsyeja e thanies seme: Nji besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt nji çfarëdo kredoje tjetër, do të përgjigjet me nji “jo” kategorike të preme.
Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnji besim pëmjimend, thotë se besimetjanë njinji të vërteta, si t’ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njinji për ta plotsue nji nevojë të jetës. Po qe si njena dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëhere asht njinji si e vërteta si e kundërta, e po qe se Zoti i dha e i dau besimet e kundërta, atëhere Zoti asht hartuesi i gabimit, i rrenës dhe i përçamjes.
Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në nji shtet, në nji popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike. Për nji herë ashtu po e zamë, edhe po e vejmë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këtë themel, bie fjala, Krishti qe a s’qe Zot, Muhamedi qe a s’qe Profeti i Zotit, në këtë rasë për mue do t’ishte njipërnji; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: si Krishti e Muhamedi të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë i qenë hipokritë e mashtruesa, si të kenë qenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e sheh këtë dobësi mendore e morale? Njeriui të cilit i vjen era njeri, mosbinden kurrë nuk e tregon për bindje, dhe atë për shka asht i bindun se t asht gabim, kurr nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm njidetyrë e fetarit, por nji detyrë e secilit njeri të ndershëm e t’arsyeshëm.
N’emën të së vërcetës, pra e për hir të sinqeritetit, luftë çdo gabimi, kudo qi ta gjejmë, edhe ndër kërkimet shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave. Për këtë intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike, jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndërsa këtë intolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunisë, t’artit e të politikës, për shka u përket parimeve të tyne., Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. Këtë po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, si për besimtarë.

NJI FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA

Nji formë e intolerancës asht polemika, e cila po qe serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtet ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerëzore e fetare qi kemi, thom se polemika nuk asht për ne. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çashtje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrenen, të falsifikojmë historinë,të shtijmë në punë motive t’ulta, të polemizojmë me pasion.
Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këtë parim, na e dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht personi e tjetër asht vepra; personin e falim, veprën e gabueshme e dënojmë; atë e duem, këtë e mënijmë; atë e bartim, këtë nuk e durojmë. Ky asht parimi bazë qi na shoqnon: me kurrnji gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët, edhe të jenë të gabuem, afrim, dashuni, vl-laznim. Natyra na mëson këtë parim: ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban nji harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon; si, bie fjala, ndër ne të marrunit me ndore, besa, mikpritja, qe se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin. Këtë shoqni qi na mëson natyra, na e imponon jeta; po njikëtë na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njejti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në sajë të nji Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, Na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijt e nji Zoti qi na ka falë. Pra Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji.
Ja, pra, se kurrgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa ndryshim. Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: muhamedani i biri i Zotit, krisatiani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta: porsi vllau për vllanë të ndiejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjen fetare të shoqi-shoqit: për kurrnji arsye nuk kemi te drejtë të përbuzim kend; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh.
Toleranca qytetare- shoqnore e gjen plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore- politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njipërnji të tria besimet në Shqipni; shteti njimend asht afetar, d.m.th. as-njanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnji besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit; ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndrysfiim, as pengim ndër të drejta të kurrnji elementi; të gjitha ligjet, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetet ndër zyrtarë, me sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi. Shteti, pra, jep liri të plotë, edhe të tre elementave ua siguron të drejtat qytetare e politike; parimi i tij mbështetet në drejtësi e jo në dashuni; shteti nuk ka miqësi as anmiqësi me kurrnjenin element. Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë:
1) duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk luen (intoleranca teorike- dogmatike);
2) duhet të kemi dashuninë e siqertë midis. personave (toleranca shoqnore-qytetare);
3) duhet të mbahet drejtësia me ndërgjegje ndër ligje , e ndër zyrtarë (toleranca shtetnore- politike). Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: na duhet të rrojmë së bashku jo si përdhuni, por me vetëdashje;
këtë pune do të na e thotë mendja, do ta duejë vullndesa, do ta ndiejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullndesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht nji virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore, do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tane puna asht këtu: me dijtë e me qenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo s.i të huej, por si vlla. Kështu, pra, nuk janë besimet ato qi e shqetësojnë jetën vllaznore në Shqipni, por gabimet pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato qi e krijojnë çashtjen fetare në vendin tonë.

PENGIME Q’I DUHEN KAPËRCYE

E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesht me kaq, ja nuk ka marrë vesht kurrë. Tash të vijmë te praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofila. Kështu qi nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali, as Bajram Curri pse muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse ortodoksë, as Gurakuqi as Dedë Gjo’ Luli pse katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare! Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengime.
1. Pengimi i parë, per shërimin e kësaj plage të kobshme qi e shqetëson jetën ndër shqiptarë, asht gabimi i madh i disa udhëhjeksave të cilët duen ta mbulojnë a edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, asht edhe do të shkojë në gangrenë, po nuk u shërue, me dorën e nji kirurgu t’aftë e të ndërgjegjshëm. Shka asht gabim e kalbsinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, le të qitet në shesh, le të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mo-hojmë? Nji pjesë e mirë, muhamedanë e kristianë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; nji antagonizëm shoqnor qindron në mes të tyne; ata nuk kanë mbërrijtë ende t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile qi do të kenë. Duhet ta pohojmë botënisht se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet ketë plagë shqiptare.
2. Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristianë, nuk janë parimet dogmatike; ato populli as nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit, sot nuk ban kush parti as nuk ngrehë ngatërresa.
Shaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicjone mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemrime kundrejt shoqi-shoqit; me këto lejmë, me këto rritemi, me këto formohemi, e për rrezik tonin me këto edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na i shrranjosë. Do të kalojë edhe ndonji brezni, qi muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhduki krejt idenë “kaurr”, ashtu për nji predispozicion të bam petk, si kristiani i sotëm edhe i nesërmi, qenë e pa qenë, për çdo punë qi nuk i bjen për shtat, ka me kujtue e me ankue: po më bahet e padrejtë, pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë qi të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto re të helmueme.
2. Faktori psikologjik Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me ketë dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instinktive, qi kohën e kalueme ndihmoi shumë për të shpëtue shpirt, gjuhë, zakone e tradita tonat; në se qe fat i madh asohere, sot për jetën tonë shoqnore e kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh për ditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetes së vet: ata e dijnë fare mirë shka don me thanë jetë e përbashkët, e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat qi lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithkëtë, hir e pa hir, duen të bajnë atë të vetën; duen, vetëm ata të jenë të mendshëm, ata gjela qi këndojnë. E po gjetën injoranta, trashamana, hypokritë, servila, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbë, pa shpirt, edhe të ngrehen kapadaij, udhëhjeksa, pionierë, a shka po dij unë. E ja klanet, partitë, prej nga rrjedhin dasitë e, kontrastet shoqnore: hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba nji grimë pozicion me taktikë vërtet djallore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin, a por sa ta çekin sustën e besimit, se ja, gati nji turmë për t’i ndjekë;e ja, se me nji herë qiti krye çashtja e besimit në shqiptarë, me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime. Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristianit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi; këtyne - po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete dhe me u dhanë të tjerëve - u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, me sa mica e qeni, nuk beson as në Krishtin as në Muhamedin, por formon klane për Dinin ase për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë - gjen kush e ndjekë për me qenë ai krye. Deri qi të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm, nuk ka qetësi në Shqipni...

TE HJEKIM DORE NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

Sod në këtë krizë të tmerrshme besimtarëvet të të tre elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë të hjekim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi-shoqit e të vëllazno-hemi në njatë Zot qi besojmë e në njatë Shqipni qi e duem me gjithë zemër. E po e patën detyrë besimtarët nji herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë tç shtërngohet dora-doras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’i a shpëtue shqiptarit besimin në nji Zot, shpresën në nji Shqipni. A sod a kurr të mobilizohemi për fe e atdhe! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia qi po na zhduket ndër duer. Bashkimi i tri klereve në ketë drejtim e veprim, asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sod as Xhamija pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena as tjetra pa Shqipni. Të ngrehemi në kambë. Për nji Zot të vërtetë e për nji Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!
Korrik 1944

NJI KUSHTRIM PËR KULTURË


… Kur ta bajmë shqiptarin t’aftë qi vetë ta kërkojë, vetë ta gjejë dhe vetë ta shfaqë të vërtetën, kemi ba shkencëtarin; kur ta bajmë të zotin qi ai vetë t’i vendojë parimet e drejta të jetës dhe këtyne t’u rrijë me dijtë ç’me dijtë, e kemi çue shqiptarin në kulmin e mirësisë: kemi ba fatosin, qi me fuqinë e vullnesës përfton vepra morale të rendit botnuer. Tue ia mprehë shqiptarit ndjesitë, e bajmë të mrrijë me ndie në shpirt shfaqjet e së vërtetës dhe të mirësisë, atëherë ai i përket, tërhiqet, rrëmbehet, atëherë shpirti i tij jipet, përpiqet, aj nuk pushon derisa të gjej format e mjaftueshme për t’i shprehë ato madhni, ato ideale fisnike për të cilat rron. Dhe ja kemi ba artistin….


OPINIONI PUBLIK

Parandej, opinioni publik nder ne,- po mujt me u thirrë publik, mendimi e fjala e nja disa pak vetvet- u percaktote nder lagje, nder çeta e tjera rrethe të vogla të nji krahinës. Jeta ishte amull d.m.th. u tfaqte në nji gjeje statike: perpjekjet ishin fort të vshtira, prandej rrall e per mall shqyptarët mund të shndrrojshin mendimet shoq me shoq; ai grimë ndrrim, qi bam nder doke, ma fort se per tjeter, na kje imponue prej nevojet të jashtme, e jo mbas nji opinioni të perbashktë, të bam me të mendueme.
Sod jeta mendore e shqyptrit dan se asht sgjue: lehtsija e perpjekjevet, egzigencat e reja, lavrimi ushtarak e arsimuer, rrethanat politike, ekonomike e shoqnore i kan dhanë nji të shtyme të fortë, e aj, ditë per ditë, shkon tue ndrrue e shnderrue mendimin ( opinion), jo vetem me themelet e jetës, qi janë te mirat ideale e materjale, por edhe mbi vlerë e vertetsi të fjalvet qi thohen e të parimet, qi botnisht tfaqen e enden nder rrethe të ndryshme.
Qe se shqyptari hjekë sa ku mundet të bajë shndrrime të mdha në jetë, por a asht kush t’ia paraqesë, e po pat kush me i a paraqitë, a asht i aftë aj t’i pershtasë parimet mbas të cillavet do t’a bajë ket metamorfozë? Qe dy normat themelore mbas të cillave do t’a gjikojm opinionin publik në Shqypni…..
… Kush tha, se shtypi asht ma e madhja fuqi në botë, desht me thanë edhe, se lufta per ide e parime- qi bahet sidomos nepermjet shtypit- asht ma e rrebtë, se lufta per pronim tokash e pasunije. Nji pozicjon mund të fitohet edhe gand e pa hiri, por per m’e mbajtë lypen mend, e mend shum.
Idet a se parimet janë ligjët, qi rregullojn jeten nierzore, porse këto as s’mund t’imponohen me armë, as s’mund të bahen monopol. Nieri, në mos kurrnji send, asht i zoti të mendoj lirisht: ke per ta vjeree më konop, ke per t’ia keputë kryet me shpatë, por me kurrsend s’ke me e ba me mendue ndryshe po nuk desht aj vetë. Nieri des per ide e parime të veta, a, si thomi shqyp, per mend qi i ka.
Sokrati i shkoi moti edhe jeta per me ba opinionin publik mbi parime të shndosha; aj ishte i bindun plotsisht, se po të mujte me perftue e me perhapë në popull ide të kjarta per virtyte, do të pshtote atmen prej kercnimevet të mbrendshme e të jashtme.

Idea asht forcë.

Kur nji ide ngallnon në nji nieri, njimend se ven nen veti të gjitha fuqit tjera, por nji herit krijon në te një fuqi të re e të mrekullueshme: nieri at herë kapercen veprimin e zakonshem, kapet në rend të fatosavet; e po i a duel t’a perpanojë iden e vet në nji çetë a në nji lagje, aj sundon, e sundimi i tij merr aq haptë, sa janë ata, të cillët i binden asajë ide.
Shum herë punët e mdha shihen ma mirë e ma kjartë nder punë të vogla: në ni katund a në nji lagje, kush lypet e kush pvetet? Kush prin, e mbas kuj rregullohen fjalët e punët? Zakonisht pasanikët perbajn aristrokacin ( parin) e vendit, por as këta s’kan çë të bajn pa pleqt, pa oratorat, pa ata, të cillvet nuk u bjen fjala në tokë. Gjykimi me vend, fjala e prumt e e nji nieri çë do, nder çashtje të kaperthyeme, nder rasa e nevojë të perbashkta, kaparojn bindjen e tjervet per të; aj merr pozicjon, tjerët lidhin e zgjidhin e bajn be per krye e per fjalë të tij; aj ka ba per veti opinionin publik; idet e tija ngallnojn n’at rreth.
Edhe nder popujt e qytetnuem kush ka ba per veti opinionin publik, ka në dorë zembren, shpirtin e jeten e popullit.
Qeverit, organizatat, shoqnit e parit e ndryshme bajn çë mos per me pasë, e ne mos e paçin,-per me e ba shtypin per veti; per ket qellim derdhen miljona e miljarda, pse shtypi asht mjeti ma i afti për ta ba opinionin publik.
Verte, se edhe tash së voni nder shumë shtete t’evropës kjenë ba lufta çivile per ngalnimin e idevet, por këto, per posë se janë mjete ekstreme- etë thuhesh të panatyrshme, janë edhe të pamjaftueshme per me e mbajtë eme vijue ngallnimin e bam; pa bindjen e mendes së shumicës, nji vend s’ka qetsi as perparim. Opinioni publik i bam në baze te shndosha asht pajtimi e lumnija e nji vendi…
… Shum fjalë e parime, qi, a nepermjet të shtypit a perpjekjeve tjera, enden në publik, nuk kanë jetë ma se 24 orë. Nji medim i ri, po u tfaq kjartë e ne mendyrë të terhjekshme, po preku shpirtin e shumicës, ka per t’u endë anë e kandë nder rrethe, e, si të flitet per te pro e contra, metalititei i ambjentavet, ja ka m’e qitë e m’e lanë, e ajo ide ka me humbë per mos me çue krye ma, ja ka me e pelqye; në ket rasë, mendimi i çpallun, me nji fuqi të bindshme, çilë rrugë e deperton në jetë, tue marrë pozicjon; at herë populli e ban të veten ( e asimilon), a ma mirë me thanë, idea e ban per veti shumicën. Kjo mandej, asht fjala e popullit, opinioni publik, vox populi.


Lmashku i hiperkulturës në Shqypni

Të huejët per ne e na per vedi bindena, se si në pak kohë kemi mrrijtë, jo vetun me pa e me njoftë nevojen e gjytetnimit; por edhe me gjetë mndyren, se si me e fitue, e me e zgjedhë mjetet, qi pershtaten ma fort gjendjes së ligshtë të shqyptarit.
Ky hap kaq i guxueshem do të na epte shkas të gjithve m’u krenue, mos t’ishte në setcillin ideja zotnuese, qi do me dalë në pah e s’len të shtrohet aq letas prej tjerve. Kjo asht ideja, qi, pshtetë n’arsye , ep të drejtë me jau ba kritiken tjerve e me pvetë e me kerkue n’emen të dijes psehin e seceilles veper, qi asht në të perpjekun me të mirë të perbashktë.
Shqyptari në punë të kulturës ka synin e madh. Etshem per sa qindvjeta me thithë njoftimet e dijes së njimendtë, tuj e pa vendin teper mas tjerësh, do në pak kohë me perftue në vend të vet shka kje perftue nder shtete të mdha mbrenda qinda e qinda vjetsh e m’u ba baras me ta, pa shikjue zhvillimin e mentalitetit të popujve e të breznive, pa peshue rasat e shkaqet psikologike të ndrrimeve të ndryshme, pa çmue randsin, qi kan doket e nji populli; por “ kashata e madhe të xen fytin”, thotë një fjalë e moçme, e, per mos me na kja puna në dorë, do “ matë hapi sa të jet vrapi”.
Ky entuzjazem. Aqë i nevojshem per nji popull, qi nisë me i çilë syt kahë kultura, kishte me i ndrrue ftyrë vendit; po t’ishin punëtorët nierz pernjimend të zotit, qi me auktoritet të vetin të perpajnojn ide të shndoshta, projekte të peshueme, mendime e drejtime në çdo degë e per çdo degë e per çdo nevojë. Kta po, se kishin me i a njitë krahin atdheut e kishin me e çue ne nji shkallë të lumnueshme kulture; por mjerisht ksi nierzsh zheni mungojn, e, në kje se gjindet kush ne Shqypni, qi pernjimend me nji vullndesë të fortë, me nji ideal të lumnueshem para sysh, mundohet per të mirë e të marë t’atdheut, tuj ba edhe vedin flije, asht fare i izoluem per kahë ndima morale e per kahë ndima materjale, e mejetet, qi mundet me pasë per dore, jan aq pak e të pafuqi, sa mos me kenë i zoti me luejtë nji rrol të madh n’edukatë kulturale të popullit, e gadi as mos m’u njehë porsi puntuer e porsi aj qi nzitë kahë perparimi mentalitetin e popullit.
Ata qi duken, se veprojn sot në mndyrë aktive per kulturë të popullit, janë ata qi veprojn per interesë; por dihet fort mirë se shka bahet per inetresë, nuk bahet per ideal e prandej nuk mundet me pasë efekt të mirë e të qindruseshem. Levertija sot zotnon mi botë e asht aq e fuqishme, sa me shkimë ndiesit ma bujaret, sa me ndryshë mendimete mara, sa me pengue çdo ideal a plan veprimi. Vjen prej vedi se kultura, qi kerkohet m’u dhanë per inetresë,s’ka temel të qindrueshem, s’njet, s’asht në nji fjalë, e njimendtë, pse kultura e gjytetnimi do të fillojë prej zemre, tuj perftue nji karakter të shndoshtë e tuj drejtue mas arsyes ndiesit e të prirunat; me sa kultura me inetresë, tuj kenë faret materjale, s’ka tjeter lamë veprimi veçse ndiesit, perjashtue prej çdo parimit edukues, prandej edhe mjetet per me i njallë e me i pertri kto ndiesi janë shi njato, qi ka trishue nierzimi njat herë, kur, mrrijtë në kulm të gjytetnimit, nisi me e efeminixue natyren e vet, tuj kerkue andje të rea, krejt njashtu si Kserksi i Persis, per të cillin diftohet, se merzitë prej pasunive e të mirave qi e rrethoshin, paguete mirë njata qi mrrijshin me i gjetë ndoi mjet të ri gzimit.
Sikurse mendja e nierit asht e kufizueme, njashtu edhe kultura, qi rriesh prej soje, i ka kufit e vet, në mndyrë qi po duel jashta rrethit të vet, jashta arsyeje, degeneron e nuk asht ma per zhvillim të popujve, por per të sosun të tyne; pse aty ku nisin andet e epshit, pran arsyetimi, e ku s’ushqehet mendja, s’ka perparim as gjytetnim të njimendtë, e deri mjetet e ndershme e bujare të kulturës, marrin nji rrymë të damshme, deri hartet, qi janë shiji ma i pari e ma i sugurti i gjutetnimit e parqesin shka ndien e provon zemra e nierit e drejtueme mas arsyes në kerkim të bukuris e të së vertetës, deri ato janë per poshtnim të natyrës e të mendes së nierit…

SHQIPTARI I MADH

Vehtja e vepra e A. Gjergj Fishtës më kujton fjalën e një profesori austriak, i cilli, tue folë mbi aftësit e karakteristiken e shpirtit shqiptar, më thotë: Fuqija mendore e shqyptarit asht virgjin e e palodhun. E, po të mbërrijte shqyptari me pasë nji edukatë të plotë e nji trajtim të kryem, lehtësisht, se edhe prej prehnit të Shqypnis, do të mund dilshin zotsi mendore, të mjaftueshme jo vetem per rrethin e vogël shqyptar, por t’afta me hi edhe ne rrethin botnuer, e me dhanë kontributin e vet nder lamije të hapta të mbarë jetës njerzore.
Nuk asht mendimi i em, këtu t’u vë kandarin e t’i peshoj këto fjalë, në se e sa vertetohen n’A. Fishten; këta veç asht e sigurtë, se per Shqypni e për shqyptar, ky kje nji nier i jasjtëzakonsheme ma i madhi edukues i popullit qi na patem deri me sod. Koha e studimet, qi kanë për t’u ba mbi iden e vepren e tij, kanë me ndritë e me caktue, në se e sa origjinaliteti i tij e kapecen rrethin shqyptar.
Njerzët e jashtëzakonshem shkojn nji jetë, të thuejsh, baras me njerzë tjerë, porse dallohen në këta, se shpirti i tyne, porsi në nji vegim, të kjartë e sheh iden, e lehtas e pershin më një syntezë mendimet, zakonet, vepren e jeten e shumicës; atë botë, ata, tue u naltue mbi njerzë tjerë të rrethit e të kohës, gjejn e vendojn synime të reja ma të nalta e ma fisnike, e me të gjitha fuqit e veta, vehen t’i shprehin e t’i çojnë në vendm, tue e mishnue kështu me to kohen e breznin. Edhe i a dalin. Në këta mbahet fuqija mysterioze e tyne, e cilla, per ta asht nji gja fare e thjesht ë e e zakonshme, me A. Gjergjin, më thotë: Quam parva scientia regitur mundus!
A.Gjergji asht nji fatos. Ai ngreh flamurin e gjuhës e të kombsis, jo nder kështjella as nder gerdhata, por në cepin e idevet e nder thellinat e ndiesivet; kushtrimin e tij e ndjeu intelektuali dhe analfabeti, nacjonalisti, si dhe ai i dekuni në shpirt per atdhe; ushtiman e tij theu çë do rrymë të kundërt e depërtoi thellë, mje në palcin e shpirtit të shqyptarit, e aty, tue prekë ma t’imtat pejza të thalbit të jetës, trandi, zgoi, rrëmbeu… Cofja ma e lanun e apatiku ma i shgrehun, ashtu edhe sheptiku ma i leshuem zemre, kjen prekë e naltue nder ma t’amblat shpresë, se “ Ka po Shqypni…” e se, “ Per shqyptarë do të jetë Shqypnija”!- Kam ndollë vetë aty , kur nji ditë, ni shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue per do shpendorime të nierzve të shtetit me A. Gjergjin, dote disi me perfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’i a spjegojë punen, se nierzit e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na së kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!


DUKË E KENË

Due të shoh ma kjartë, “Mehr Licht” kshtu thote Goethe, si të dote me kerkue dishka në msheftsin e jetës, e kshtu edhe që do shqyptari qi e merr çashtjen e Shqypnis pernjimend, do të thojë kundrejt atij nderlikim mendimesh e pikpamjesh qi kemi në boten tonë ideale.
Matemi, epemi e duem: e kaluemja nuk na mjafton, e tashmja nuk na pelqen, e ardhmja na shfaqet në mejgullinë! Duem, e dume njimend, por ene nuk e shohim të kjartë ata shka duem. Ku e ban nana at djalë shqyptari, i cilli me kjartsin e kristalit e me sigurin e Arkimedit të dajë ata shka ban e shka nuk e ban per ne, ta ngulë me vend e mirë boshtin e jetës shqyptanr! Hominem quaero!
Jemi sternipat e asaj plakë, e cilla, si u dogj kungujsh, i fryni kosit. Shkeptik shqyptari? Sigurisht jo per natyrë, por lodhë prej vuetjesh, don ta veje njeherë kamen dyst, e prej se nuk din shka qet e nesermja, nuk sheh ku ta ngulë. Në lamen ideale mandej, sa shkon tue marrë haptë lamshi i jetës me perparim e kulturë, aq nderlikueshem vjen e tëhollohet nder fije të para, në vemen e ides themelore.
Formula e zakonshme me te cillen sod shfaqet ideologjija shqyptare asht kjo: Shqyptari tash e mrapa do të besojë vetem në fuqin e vet ideale e në komb!
Qellimi per t’a çue në vend asht: ndertimi i Shqypnis së lirë e ideale, qi per qyshk të domosdoshem ka fjalen e ditës: religio delenda- vizë çë do besimit.
Kjo ideologji, xanë me gjithnduer tharmi, mru me gjithfarë duersh e pjekë me turli qellimesh, jo vetem e mson të dam besimin prej atmje, dieje e gjytetnimi, por edhe në kundershtim flagrant me kto ideale…